Përfshihet në konflikt për motive të dobëta, kandidati në listën e sigurt të PD, Bledion Nallbanti, dhe vëllai i tij Alti Nallbati, me një shofer kamioni.
Sipas të dhënave, mësohet se në deklarimet e dhëna në prokurori, deputeti së bashku me vëllain janë shprehur se kamioni ka qenë me shpejtësi dhe mund t’i kishte goditur nga mbrapa.
Pas kësaj, ka ardhur dhe reagimi i policisë së Korçët, ku shkruhet:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll në përfundim të veprimeve të kryera në lidhje me një konflikt të ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrethrrotullimin e Bilishtit, arrestuan në flagrancë shtetasin A. N. 42 vjeç, banues në Devoll, për veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, dhe ” Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Arrestimi i tij u bë pasi u kap në flagrancë menjëherë pas konfliktit të ndodhur midis shtetasve A.N, B.N dhe shoferit te një kamioni transporti shtetasi S.D.
Gjatë këqyrjes së pamjeve filmike dhe kryerjes se veprimeve të tjera hetimore, rezultoi se më datë 03.05.2025, rreth orës 21:15 , në afërsi të rrethrrotullimit të Mirasit në qytetin e Bilishtit shtetasi A.N, ka ndaluar automjetin me të cilin lëvizte bashkë me vëllanë e tij shtetasin B.N (kandidat për deputet i një subjekti politik) duke penguar qarkullimin e automjeteve që lëviznin në këtë aks rrugor.
Shtetasi A.N ka dalë nga automjeti dhe ka debatuar verbalisht me një drejtues kamioni, dhe më pas ka tentuar ta zbresë me forcë nga kamioni shtetasin S.D, dhe ka tentuar ta qëllojë me grushte si dhe ta ofendojë duke kryer veprime të pa hijshme në publik. Në këtë konflikt është përfshirë edhe vëllai i tij, shtetasi B.N, ku fillimisht ka tentuar të qetësojë situatën por më pas, bazuar në pamjet filmike ka tentuar të zbresë me forcë nga kamioni shtetasin S.D.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme./Gazeta Papirus/