Njëri nga dy burrat e panjohur me motoçikleta ka qëlluar në drejtim të një grupi vajzash dhe djemsh serbë në liqenin afër Graçanicës, shkruan rs.n1info duke cituar RTS-në.
Në të shtëna është kyçur një polic lokal që ishte në shoqëri të tyre, duke plagosur motoçiklistët me armën e tij kur ata filluan të iknin. E ashtuquajtur Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka dënuar sulmin.
Marko Petkoviq nga Laplla Sella, i cili ishte në grupin e vajzave dhe djemve serbë, tha për RTS se të shtënat kanë ndodhur dje pasdite në bregun e liqenit të Graçanicës, transmeton Klan Kosova.
“Ata u ndalën disa metra larg nesh. Një mik që ishte me ne, me kombësi gorane, punon në polici dhe flet shqip. Ai iu afrua dhe u kërkoi të largoheshin nga vendi, pasi situata ishte e pakëndshme. Ata u larguan nga ai vend dhe u ndalën jo shumë larg makinave tona dhe njëri prej tyre filloi të qëllonte me armë ndaj nesh”, thotë Petkoviq.
Ai shtoi se pasi dëgjuan të shtënat, janë të shtrirë përtokë dhe se nga plumbat janë mbrojtur nga makinat e parkuara.
“Një polic me rroba civile, i cili ishte me ne në grup, u kundërpërgjigj duke gjuajtur kur sulmuesit filluan të iknin në drejtim të fshatit Marmor”, ka saktësuar Petkoviq, i cili tha se incidentin e kanë raportuar në polici.
Pas 40 minutash ka mbërritur një patrullë e stacionit policor të Graçanicës. Më pas një patrullë policore ka mbërritur nga stacioni policor në Prishtinë dhe ka marrë përsipër hetimet.
Bojan Rajkoviq, prindi i njërit prej të rinjve që ishte në liqen, tregon se, sipas asaj që i kishte thënë i biri, e gjithë situata do të kishte dalë jashtë kontrollit dhe do të kishte përfunduar me pasoja ndoshta të rënda nëse nuk do të ishte polici me rroba civile.
“Është fat që polici ka qenë në shoqërinë tonë. Policia i ka marrë në pyetje fëmijët në Prishtinë për më shumë se pesë orë. Në këtë procedurë dëshmitarë janë të rinjtë dhe të rejat, ndërsa rasti po zhvillohet kundër policit. Nuk është e qartë për ne”, tha Rajkoviç.
Incidenti afër liqenit në Graçanicë nuk është regjistruar në raportin e rregullt të sotëm të policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për mediat vendase se policia ka nisur hetimet për zbardhjen e të gjitha rrethanave të ngjarjes, si dhe se personat që kanë marrë plagë me armë zjarri janë të moshës 23 dhe 28 vjeç, dhe se janë shtruar në spital. Sipas tij, një polic dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj tyre.