Në objektin e Qeverisë së Kosovës të premten kanë arritur i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Emisarët ndërkombëtarë po qëndrojnë në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ata, gjatë ditës, pritet të vizitojnë edhe Beogradin, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.
Pse po vizitojnë emisarët e huaj Kosovën dhe Serbinë?
Viti 2023 është paraparë të jetë vit i dinamizmit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë të cilit synohet përmbyllja e këtij procesi.
Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve që emisarët do të kenë në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.
Sa i përket një takimi të ri ndërmjet bartësve të dialogut, Kurtit dhe Vuçiqit, diplomatët në Bruksel nuk kanë përmendur ndonjë datë, por kanë thënë se “po punohet që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Synimi i bllokut evropian është që takimi Kurti-Vuçiq të mbahet para fundit të muajit janar.
Herën e fundit që ata u takuan për bisedime ishte 21 nëntori i vitit 2022.