Me vendimin e rritjes së çmimit të energjisë për 16.1%, kanë shpërthyer reagimet për rritjen e çmimeve.
Faqja “Vrojtuesit e Lagjes” kanë publikuar një faturë në rrjete sociale, ku në qendër të Prishtinës një kafe makiato e madhe ka shkuar në 2 euro, kurse kafeja amerikane në 1.80.
Kafeja është shtrenjtuar edhe nëpër komuna të tjera, ku lokalet kanë njoftuar edhe zyrtarisht, se çmimi është rritur pas shtrenjtimit të rrymës.
Kurse, përveç kafesë, pritet edhe rritja e çmimit të produkteve të tjera. Fjala është për bukën, qumështin dhe produkte të ndryshme.
Pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga një maji, për 16.1% një numër biznesesh në Kosovë vetëm se kanë nisur që të rrisin çmimet e produkteve.
Seit Shatr, pronari i një furre në Pejë, thotë se disa nga furrat e bukës në këtë komunë veçse kanë nisur që një bukë ta shesin për 80 centë.
“Për momentin është 60 centë, do të shkojë deri në 80 centë, në disa vende të tjera është shtrenjtuar, por te na tash pritet prej një majit”, tha Shatri për RTV21.
Analisti Shenoll Muharremi ka thënë se krejt kjo situata ka qenë e mundur të parandalohet.
“Kur të shkatërohet ekonomia, mos të i themelojnë fare institucionet. Kot rriten pagat, kot rritet ekonomia pastaj… se inflacioni e ka kry punën. E krejt kjo ka mujt me u parandalu! Po faktori njeri, nuk e ka parandalu. Zgjidhje ka pas, e kemi vizatu. Çka mundet me bë një apo disa injorantë, 1 milion tjerë nuk munden me e rikuperu dëmin”, ka shkruar Muharremi.
Kryetari i Shoqatës së mullisëve, Bashkim Zejnullahu tha se rritja e çmimit të bukës do të bëhet për shkak të rritjes së prodhimit.
“T’u pasur parasysh që përpunimi i grurit por edhe pjekja tek furrtarët ndodh me energji elektrike, ka me pas një ndikim në çmimin e bukës. Rryma është një faktor në përpunim, bartë një barrë të drejtpërdrejtë në përpunimin e grurit por edhe tek pjekja sigurisht pasi drejtpërdrejt është një kosto, nuk mund të marrim duke mos e ditur se do të jetë është shtrenjtimi i rrymës që ende nuk dihet dhe nuk besoj që do të jetë ajo që është propozuar apo pritet të propozohet por varësisht nga jo energjia elektrike nga përpunimi i bukës e deri në pjekje është diku 20%”, deklaronte ai për mediat.
Rritja e çmimeve ishte paralajmëruar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
“Bazuar në rritjen për 15 për qind në bazë të komunikimit tonë me biznese ne e shohim si shumë problematike këtë rritje, sepse është rritje e madhe për kohë shumë të shkurtër dhe për këtë po shpresojmë se qeveria ndoshta do të vijë me një vendim pak më të mirë, sepse ky si i tillë do ta dëmtojë shumë biznesin, shkaku se nëse kostoja e prodhimit i rritet për 15 për qind të energjisë elektrike, duke pas parasysh të gjitha bizneset tek ne, prodhimet përdorin energji elektrike, atëherë kjo automatikisht ndikon në koston për njësi, pra rritje të çmimeve në të gjitha produktet në Kosovë. Njëherësh edhe tek shërbimet, edhe për shërbime bizneset përdorin energjinë elektrike. Kuptohet, si të rriten shpenzimet tjera, pritet që të rriten edhe shpenzimet e shërbimeve, që do të thotë se do të ketë rritje të çmimeve në secilën fushë”, deklaronte për KP, Zana Beqiri, drejtoreshë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Çmimet kanë nisur t’i rritin edhe subjektet hoteliere, si pasojë e rritjes së çmimit të rrymës.