Sot ka nisur numërimi i fletëvotimet nga votimet në përfaqësitë diplomatike.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se më 8 shkurt të këtij viti është votuar në 30 përfaqësi diplomatike me gjithsej 43 vendvotime, ku nga 20 mijë e 304 votues të regjistruar, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 15 mijë e 352 prej tyre.
“Procesi i numërimit është transparent dhe vëzhguesit janë njoftuar me kohë. Pas përfundimit të numërimit të ndonjë vendvotimi, brenda një kohe të shpejt, rezultatet për subjekte politike dhe kandidatë për deputetë do të shfaqen në platformën ‘rezultatet2025.net’”.
Pas votave nga përfaqësitë diplomatike do të fillojë numërimi i votave përmes postës.
“Pas përfundimit të numërimit të votave në përfaqësi diplomatike, po planifikojmë që të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës. Sipas të dhënave, pas procesit të vlerësimit janë aprovuar mbi 63 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime”, tha Elezi.
Ai tha se më pas do të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara.