Genc Nimoni, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë ka komentuar shpalljen të pavlefshëm të Ligjit për Këshillin Prokurorial nga Gjykata Kushtetuese.
Nimoni ka thënë se ka mospërputhje mes nenit të parë dhe të fundit kur bëhet fjalë të ulja e numrit të anëtarëve të Këshillit Prokurorial
“Edhe Gjykata fillimisht thotë që ulja e numrit nga 13 në 7 dhe balancimi është në përputhje me standardet dhe nuk është kundërkushtetuese. Kjo është pika e parë. Ndërsa në pikën e fundit konstatohet që nuk mundemi që ta bëjmë këtë ulje, ose ndërprerjen e mandatit të prokurorëve në këtë rast. Ta sqaroj këtë, se mandati iu ndërprehet vetëm si anëtar i Këshillit, jo si prokuror”, ka thënë Nimoni.
Tutje Këshilltari i Lartë i ministres Albulena Haxhiu, ka thënë se KPK për momentin ka përbërjen më të disbalancuar në rajon.
“Për momentin KPK ka përbërjen më të disbalancuar dhe nuk e di ndonjë vend tjetër në rajon që e ka kështu. Prej 11 anëtarëve, 10 janë prokuror kurse vetëm 1 është joprokuror. Ndërsa me rregullativë parashihet që 3 janë joprokurorë dhe 10 prokurorë. Dhe ne kemi reaguar dhe e kemi balancuar këtë numër, në 4 anëtarë prokurorë dhe 3 anëtarë joprokurorë”, ka thënë ai në Ditari në Tëvë 1.
Nimoni ka shtuar se një draft të cilin e kishte parë të njoftimit të Kushtetueses e kishte nxjerrë Ligjin pa shkelje, por kjo kishte ndryshuar më pas.
“Kur kanë punuar brenda, fillimisht është nxjerr pa shkelje. Pastaj ka qenë pakënaqësi e disave, duhet ta nxjerrim kështu e kështu. Sidoqoftë janë çështje të brendshme. Nëse e shikoni njoftimin e Gjykatës mund të shihni mospërputhje, unë e përmenda nenin e parë dhe nenin e fundit”, ka thënë Nimoni.