Personi me inicialet B.N ndaj të cilit u ngrit aktakuzë nga Prokuroria Speciale për keqpërdorime në Aeroport është Bahri Nuredini, nipi i komandantit Adem Jashari.
“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se gjatë periudhës kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në vazhdimësi dhe në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), të pandehurit B.N. dhe D.M e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar OE “TCN” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Bahri Nuredini së bashku me dajën e tij Bekim Jashari kishin qenë nën hetim për keqpëdorimin e mbi 8 milionë euro.
Task-Forca Anti-korrupsion në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, koshte filluar hetimet lidhur me një keqpërdorim të vitit 2011, që kishte ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Dyshohet se në tenderin për paisjet e navigacionit ajrorë ishin keqpëdorur mbi 8 milionë euro. Asokohe, drejtor i Bordit të Aeroportit ishte Bekim Jashari.
Në vitin 2011 AShNA (Agjencia për Shërbime të Navigacionit Ajror) kishte shpallur tenderin për projektin “Furnizimi dhe instalimi i pajisjeve të navigimit ajror”.
Vlera e këtij tenderi peshonte 8.1 milionë euro, shkruan Insajderi.
Kontrata i ishte dhënë, një kompanie me emrin “TCN” dhe ai ishte gati i finalizuar, por për shkak të një borxhi prej afro 600 mijë eurove, që AShNA-i i kishte kësaj kompanie, ajo e paditi këtë institucion. Me këtë, kontrata praktikisht u prish dhe projekti nuk u realizua.
Pjesa më e madhe e parave i ishte dhanë kompanisë “TCN-së”, por shumica e pajisjeve kurrë nuk u sollën në Aeroport nga kjo kompani private.
Për këtë skandal në Aeroportin e Prishtinës, hetuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian për Inteligjencë Kriminale kishin bërë një raport të veçantë. Raporti që ishte publikuar në media, ngriste dyshime për keqpërdorime financiare në projekte milionëshe.
Hetuesit e EUOCI’it kishin rekomanduar se këto dyshime duhet të hetohen me patjetër. /Gazeta Papirus/