Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj M.D. për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Ai dyshohet se më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan i kanë sulmuar dhe i kanë kanosur ushtarët e KFOR-it dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
“Pas sigurimit dhe analizimit të provave personale dhe materiale, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri M.D, më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehurit të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale.”
“Po ashtu, prokurori nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor, duke e dënuar sipas ligjit, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.”