Prishtina Weather ka njoftuar për motin që pritet të mbajë këtë fundjavë dhe fillimin e javës së ardhshme. Sot do të ketë reshje të dobëta shiu. Nga e diela kryesisht me kthjellime. Orëve të mëngjesit me ngrica, e përgjatë ultësirave mjegull.
19.02.2021 – Një bërthamë ciklonike nga Evropa Qëndrore do të kalojë në lindje të rajonit ditën e shtunë, e që sjell mbi rajonin tonë vranësira e orëve të pasdites priten edhe reshje të dobëta shiu. Reshjet do të jenë afatshkurta e deri në mbrëmje më vonë pushojnë.
Nga dita e diel, fushat e presionit të lartë që ndodhen mbi Detin e Zi fillojnë të fuqizohen duke u shtrirë mbi vendin tonë gjatë javës në vijim. Nën këto kushte parashihet të mbajë mot kryesisht i kthjellët dhe me diell. Mirëpo, orëve të mëngjesit për shkak të motit më të qëndrueshëm, nëpër ultësira paraqiten kushte për formim të mjegullës, e cila deri në orët e mesditës pritet të zhduket.
Masat e ngrohta që këtyre ditëve do të depërtojnë nga Evropa Perëndimore e Qëndrore, do të vazhdojnë të shtrihen edhe mbi vendin tonë, që mundësojnë mot më të butë dhe rritje të temperaturave.
Për shkak të motit më stabil, dhe paraqitjes së inversionit termik, ndotësit ajror mbeten më të bllokuar afër sipërfaqes tokësore, e indeksi i cilësisë së ajrit do të mbes më gjatë në vlera të dobëta dhe shumë të dobëta.
Megjithatë, ditën e shtunë e të diel parashihet të ketë periudha me erë, që në këto raste shpërndajnë ndotësit, ndërsa indeksi zbret edhe në vlera mesatare dhe të mjaftueshme.
20.02 – Kryesisht me vranësira dhe intervale me diell. Pasdite dhe në mbrëmje me reshje të dobëta lokale shiu.
21.02 – Pas mëngjesit me mjegull nëpër ultësira, gjatë ditës kryesisht kthjellët dhe me diell.
22.02 – Kryesisht me diell. Në mëngjes përgjatë ultësirave me mjegull.
23.02 – Kryesisht kthjellët dhe me diell. Orëve të mëngjesit përgjatë ultësirave mjegull.
24.02 – Pjesërisht vranët, por me intervale më të gjata me diell gjatë ditës.
Temperaturat do shënojnë rritje rritje graduale ndjeshëm mbi vlera mesatare, sidomos nga dita e hënë. Minimalet do të luhaten nga -1C deri në 2C, e maksimalet nga 10C në fundjavë, rriten edhe deri në 16C ditën e martë.