Pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik në Prizren, ku një burrë turk me qëndrim të përkohshëm në Kosovë vrau vajzën e tij të mitur dhe plagosi rëndë vajzën tjetër 11-vjeçare, ka reaguar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në një deklaratë publike, ministrja Haxhiu ka shprehur dhimbjen dhe indinjatën e saj të thellë për këtë akt të rëndë të dhunës në familje, duke e quajtur atë një krim të patolerueshëm që duhet të ndëshkohet me ashpërsinë më të madhe të ligjit.
“Dhuna, në çfarëdo forme, është e papranueshme. Fëmijët kanë të drejtën e patjetërsueshme të jetojnë të sigurt dhe të mbrojtur,” u shpreh ministrja, duke shtuar se rastet e tilla janë alarm për gjithë shoqërinë dhe kërkojnë përgjigje të menjëhershme institucionale.
Ministrja, në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, ka shprehur ngushëllime për familjarët e vajzës së ndjerë dhe ka uruar shërim të shpejtë për vajzën e mbijetuar, e cila po trajtohet në institucionet mjekësore.
Sipas saj, institucionet janë angazhuar në trajtimin urgjent të rastit dhe në ofrimin e të gjithë mbështetjes së nevojshme për të mbijetuarën.