Xhelal Sveçla është demantuar rëndë për prezantimin e aksionit të arrestimit të 12 serbëve si “operacion të përbashkët të organeve të sigurisë”. Drejtoria e Policisë Rajonale të Gjakovës zbuloi se grupi i parë të serbëve të kamufluar si ‘pelegrinë’ është ndaluar pas rënies në radarin e shpejtësisë.
Katër serbë ranë në radarin e shpejtësisë të një patrulle policore në Gjakovë pasditen e së shtunës, tha Drejtoria e Policisë Rajonale të Gjakovës në një komunikatë të dielën, transmeton Gazeta Papirus.
Pas verifikimit të tyre nga patrulla policore EAC-2 në rrugën ‘Gaspar Karaqi’ në Gjakovë, katër serbët rezultuan të dyshimtë.
Njëri prej tyre doli të jetë kapiten i Ushtrisë së Serbisë, tha Drejtoria e Policisë Rajonale të Gjakovës.
“Me date 05.04.2025 rreth orës 18:35 patrolla policore EAC-2 gjatë pikes së kontrollit në rr. ‘Gaspar Karaqi’ e ka ndaluar veturën gjip Toyota me targa serbe KG-333-RB për shkak të tejkalimit të shpejtësisë”, tha Drejtoria e Policisë Rajonale të Gjakovës në një komunikatë për media të dielën.
Sipas njoftimit të Policisë në Gjakovë, arrestimi i katër shtetasve serbë të kamufluar si pelegrinë aktivizoi organet e rendit në një zinxhir arrestimesh të tjera të dyshuara për lidhje me strukturat e inteligjencës dhe sigurisë të Serbisë.
16 shtetas serbë u arrestuan në total. 12 nga të cilët u kapën të dielën pas zgjerimit të hetimeve të nisura pas arrestimeve të para të shtunën.
12 të tjerët u arrestuan në Prizren të dielën.
Në veturën me të cilën po lëviznin të dyshuarit, Policia gjeti një emblemë me hartën gjeografike të Kosovës e cila mbante fotografitë e tre terroristëve të vrarë në Banjskë.
“Gjithashtu patrolla policore me pëlqimin dhe pajtimin e shoferit e ka bërë një kontrollë në veturë është gjetur një stiket-emblemë e cila ishte e ngjitur në mbajtësen e dorës të shoferit. Në emblemë paraqitej harta gjeografike e Kosovës, ku në hartë është fotografia e tre personave të cilët ishin vrarë në Banjska dhe rreth emblemës ishte një mbishkrim kur shkruhet: ‘Tiranisë shqiptare me i vu këmbën në fyt është detyra më e shenjtë njerëzore’”, tha Policia e Gjakovës në njoftim.
Komunikata e policisë e demanton keq ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sveçla, në përpjekje jo vetëm për të marrë merita për kapjen e serbëve të dyshuar për lidhje me inteligjencën serbe por edhe për t’i paraqitur arrestimet si një sukses të madh të punës së MPB-së, tha se bëhej fjalë për një “operacion të përbashkët të organeve tona të sigurisë”.
Ai tha se aksioni nisi të shtunën me ndalimin e katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë, ndonëse sipas Policisë së Gjakovës, grupi i parë i serbëve ranë në radarin e shpejtësisë e pastaj u verifikuan.
“Në një operacion të përbashkët të realizuar nga organet tona të sigurisë më datë 05.04.2025 dhe 06.04.2025, janë ndaluar gjithsej 16 persona, të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë. Struktura e të ndaluarve ishte e kombinuar, ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë”, tha Sveçla në një reagim në rrjetet sociale të dielën.
Grupi i dytë i serbëve të dyshuar për lidhje me inteligjencën serbe u arrestuan të dielën derisa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë në qendër të Prizrenit.
“Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, tha ministri Sveçla të dielën.
Sipas Sveçlës, njëri prej të dyshuarve ka lidhje të afërta familjare me Nemanja Radivojeviqin, anëtarin e grupit terrorist të Banjskës.
Sveçla alarmoi se strehimi i të dyshuarve në Fakultetin e Teologjisë Ortodokse në qendër të Prizrenit mund të tregojë për një përpjekje të shfrytëzimit të institucioneve fetare për kamuflim të agjentëve serbë.