Anëtari i kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, është shprehur lidhur me korrupsionin në Qeverinë Kurti pas daljes së Raportit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASh).
‘’Institucionet amerikane në raportin e tyre vjetor për gjendjen për të drejtat e njeriut në Kosovë, raportuan dje se gjendja kronike e korrupsionit në Kosovë, ende po vazhdon’’– tha Tahiri për Kosovapress
Ai thotë se kjo Qeveri nuk po ndryshon asgjë sa i përket fushës së korrupsionit. Dhe thotë se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka ardhë në dy konstatime: në korrupsionin në institucionet qeveritare të Kosovës dhe në mungesë të ndëshkueshmërisë për të korruptuarit.
“Ky raport ka dy gjetje tepër të rëndësishme për sa i takon gjendjes në lidhje me korrupsionin dhe dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit konstaton se ka korrupsion serioz në institucionet qeveritare të Republikës së Kosovës. Po ashtu raporti konstaton se ka mungesë të ndëshkueshmërisë për të korruptuarit Brenda institucioneve qeveritare.’’– shprehet ai.
Tahiri poashtu iu rikujtoi të gjithëve se kjo qeveri premtim kryesor ka pasur zhbërjen e korrupsionit në këto institucione.
‘’Le të mos harrojmë se premtimi kryesor i kësaj qeverie ka qenë zhbërja e korrupsionit në institucionet e Kosovës, megjithatë, raporti i miqve amerikan vërteton një gjendje të kundërt’’– vijoi Tahiri.