Oliver Ivanoviq është kriminel lufte. Kështu shprehej Albin Kurti para disa vitesh. Atëherë nga Beogradi i kishin kërkuar që t’i tërhiqte ato fjalë, Dje, si kryeministër i Kosovës, Kurti e përkujtoi politikanin serb, duke e përshkruar kështu: i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord.
Serbët mund ta dëgjonin në gjuhën e tyre kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të hënën pasdite e përkujtoi me një video politikanin Oliver Ivanoviq, i cili u vra pesë vjet më parë. Kur ai u vra dhe disa vjet pas atij krimi, Kurti e konsideronte Ivanoviqin kriminel.
Të hënën pasdite shumë mbetën të befasuar kur Kurti në një video e përkujtoi Ivanoviqin si njeri të hapur, të sinqertë e të respektuar. Tani, kryeministri i Kosovës dëshiron që kështu të mbetet i gjallë kujtimi për politikanin serb.
Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, thotë Kurti në video.
Kurti tha se vrasja e Ivanoviqit e ndikoi gjithë shoqërinë dhe shtoi se kujtimi për të ruhet duke e trajtuar njëri-tjetrin me respekt edhe kur nuk pajtohemi.
Duke e parë dhe dëgjuar Kurtin t’i thotë këto fjalë, shumë serbë e shqiptarë mund të kenë pyetur: Kur dhe pse e ndryshoi mendimin ai për dikë që e akuzonte për spastrim etnik?
Kurti e konsideronte Ivanoviqin kriminel lufte
Kur Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur fajtor Oliver Ivanoviqin në janar të vitit 2016, duke e dënuar me 9 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve 1999-200, Lëvizja Vetëvendosje e kishte quajtur “poshtërim” aktgjykimin.
“Drejtësisë me komponentë ndërkombëtarë i janë dashur gjithsej 17 vite që ta shpallin të fajshëm personin përgjegjës për vrasjen, lëndimin, dëbimin dhe shkatërrimin e pronave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e doktrinës së Ilia Grashaninit – vrit dhe dëbo”, thuhej atëherë në reagimin e LVV-së.
Ai aktgjykim, për LVV-në e Albin Kurtit shpërfaqte “padrejtësinë ndërkombëtare”.
“Veprat për të cilat është gjykuar Oliver Ivanoviqi përbëjnë veprat penale të nivelit ndërkombëtar, e që konsiderohen si vlera të mbrojtura në të mirë të mbarë njerëzimit. Veprimet e grupit të Ivanoviqit nuk dhunuan vetëm vlerat e mbrojtura me ligjet vendore. Ata dhunuan vlerat e mbrojtura me katër konventat e Gjenevës dhe aktet e tjera që sanksionojnë veprimet të tilla si krime ndërkombëtare. Shqiptimi i një dënimi të tillë e tregon më së miri gatishmërinë që sunduesit e ligjit sa janë të gatshëm të mbrojnë postulatet më vlefshme dhe të mbrojtura në nivel ndërkombëtar”, thuhej në reagim.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës, më 4 shkurt 2016, nëpërmjet një komunikate për media, e fajësonte Oliver Ivanoviqin dhe Dragan Delibashiqin për vrasjen e 10 qytetarëve në Mitrovicën e Veriut.
Kur Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, LVV-ja nuk reagoi. Por të gjithë e dinin se cili ishte qëndrimi i kësaj partrie për politikanin serb. Ivanoviqi për LVV-në mbetej ai që “ka shkaktuar vrasjen e 41 shqiptarëve, lëndimin e qindra të tjerëve dhe dëbimin e më shumë se 12 mijë qytetarëve shqiptarë”.
Edhe një vit pas vrasjes së politikanit serb, Kurti dhe partia e tij vazhduan ta përkujtonin Ivanoviqin si udhëheqës të grupit paramilitar “Rojat e Urës”, që kishte urdhëruar dhe marrë pjesë vetë në vrasjen e shqiptarëve të veriut në shkurt të vitit 2000. Qeveria e atëhershme kritikohej se mbajti një minutë heshtje për të.
“Sot, 19 vite më parë, saktësisht në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, strukturat kriminale serbe të përfshirë në formacionet e pandjekura paramilitare të Sllobodan Millosheviqit para syve edhe të KFOR-it francez, zbatuan vrasjen e 10, plagosjen e mbi 80, si dhe dëbimin sistematik të mbi 1500 familjeve shqiptare nga veriu i Mitrovicës ditëve dhe muajve të ardhshëm”, shkruante LVV-ja më 3 shkurt 2019, duke kujtuar natën e tmerrit.
Partia e Kurtit citonte Ivanoviqin që në një deklaratë për New York Times kërkonte mirëkuptim për atë që kishte ndodhur.
“Kështu, gati deri në vetëpranim, do të deklaronte për New York Time-sin e datës 10 shkurt 2000, Oliver Ivanoviq politikan serb i dënuar me 9 vite burg për vrasje shqiptarësh në Mitrovicë. I dënuar nga drejtësia gjysmake e EULEX-it për diçka që për pak sa se pranon me gojën e vet, por për çudinë e botës i përkujtuar me një minutë heshtje nga qeveria e Kosovës në të njejtën ditë me Komandant Jonuz Musliun”, shkruante LVV-ja.
Kurti, në një intervistë në N1 në gjuhën serbe e kishte quajtur Ivanoviqin kriminel lufte dhe për këtë kishte marrë një reagim nga Beogradi.
Marko Gjuriq, ambasador i Serbisë në Ëashington, atëherë drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, i këtkonte Kurtit t’i tërhiqte fjalët.
“Oliver Ivanoviqi s’ka qenë kriminel lufte, Ivanoviq ka qenë përfaqësues dhe lider i popullit serb në kohët më të vështira, ka luftuar për interesin e tyre dhe ka bërë sakrificën më të madhe që një njeri mund ta bëjë”, kishte thënë Gjuriq.