Kryeministri Albin Kurti në dyvjetorin e fitores së zgjedhjeve e ka postuar një fotografi dhe një shkrim të cilin për pak minuta e ka fshirë.
“Fitorja e madhe e shkurtit ishte ndryshe, sepse ishte vet ndryshimi. Ishte fitore, sepse fitoi populli dhe demokracia. Ajo na rikujton më së miri vullnetin dhe pritjet e qytetarëve tanë, të cilëve do të ju shërbejmë çdo ditë me përpikmëri. Bashkë deri në realizimin e plotë të zotimeve tona për punësim dhe drejtësi.”, tha Kurti para pendimit.
Pas pak minutave ai e ka ripostuar të njëjtën fotografi me ndryshime në shkrim.
“Bashkë sot, sikurse me 14 shkurt 2021, sikurse në secilën ditë të këtyre dy viteve. Bashkë përballë sfidave e detyrave që kemi përpara. Me përkushtim që nuk zbehet. Me përgjegjësi që rritet.
Fitorja e madhe e shkurtit ishte ndryshe, sepse ishte vetë ndryshimi demokratik. Ishte fitore, sepse fituan qytetarët dhe e gjithë shoqëria. Ajo na rikujton më së miri vullnetin dhe pritjet e popullit, të cilit do t’i shërbejmë çdo ditë me përpikmëri dhe devotshmëri. Bashkë deri në realizimin e plotë të zotimeve tona për punësim dhe drejtësi.”, ka shkruar ai në postimin e dytë.
Nga postimi i parë ai ka larguar ditët dhe i ka zëvendësuar me dy vite.
Po ashtu tek pjesa ku tha se ‘fitoi populli dhe demokracia’, ai e ndryshoi dhe e bëri se fituan ‘qytetarët dhe e gjithë shoqëria”.