I riu 17 vjeçar Endoren Selimi, me prejardhje nga qyteti i Ferizajt, Kosovë së bashku me familjen u largua nga vendlindja e tij në moshën 7-vjeçare për të ndjekur një jetë të re në Francë, ku dhe jeton aktualisht në qytetin e Grenoble.
Kur mbërriti në Francë, ai nuk dinte asnjë fjalë frëngjisht. Ishte në klasën e dytë, dhe iu desh të përballonte sfidën e madhe të integrimit në një shoqëri dhe gjuhë të re. Me kalimin e kohës, falë karakterit të tij të fortë, ai jo vetëm që u integrua plotësisht, por arriti të zhvillojë një personalitet të pasur dhe të hapur.
Aktualisht ai është në vitin e fundit të shkollës së mesme Shkenca dhe Teknikat e Menaxhimit dhe të Administratës dhe përgatitet të japë provimet e maturës. Përveç shkollës, Endoreni është një sportist i pasionuar : ai luan basketboll prej dy vitesh në një klub lokal dhe gjithashtu praktikon boksin.
Me një gjatësi prej 1.98 metra, ai ka gjithmonë tërhequr vëmendjen për prezencën e tij fizike dhe stilin e tij natyral. Që në moshë të vogël, ai ka ëndërruar të hyjë në botën e modës dhe modelingut – jo vetëm për të qenë në pasarela apo para kamerës, por edhe për të përfaqësuar me krenari veten dhe prejardhjen e tij, për të bashkëpunuar me marka të ndryshme dhe për të ndërtuar një karrierë ndërkombëtare.
Rruga e tij drejt finales së Top Model International 2025 nisi në Lyon, ku mori pjesë në një audicion përzgjedhës. Aty u dallua nga juria dhe u kualifikua për gjysmëfinalen që do të zhvillohej më 25 janar 2025 në Bruksel, duke marrë vendin e parë në votimin e publikut, një arritje e madhe që i solli një çmim të veçantë: një udhëtim për një fotoshooting profesional në Marrakech (Maroko) organizuar nga vetë agjencia.
Por suksesi i tij nuk u ndal këtu: Gjysmëfinalja që u zhvillua ne Bruksel, ai u kualifikua nga juria për të kaluar në finalen botërore të TMI ( TOP MODEL INTERNATIONAL) që zhvillohet nga data 15 deri më 17 maj në Monte-Carlo, Monako, ku do të prezentohet si garues nga Kosova në garë me rreth 200 finalistë nga e gjithë bota.
Pjesëmarrja e tij në finale është bërë e mundur falë mbështetjes së Ambasadës së Kosovës në Paris,e cila vendosi ta sponsorizojë për këtë event të madh, si një mënyrë për të promovuar talentin dhe imazhin pozitiv të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Falë ndërmjetësimit të Ambasadorit z. Mehdi Halimi, Endoreni gjeti edhe një sponsor të dytë, kompaninë “Group Povataj”, që e mbështeti gjithashtu në këtë udhëtim.
Për Endorenin, ky përfaqësim nuk është vetëm një garë bukurie, por një mënyrë për të treguar se me përkushtim dhe besim në vetvete, gjithçka është e mundur – pavarësisht nga ku vjen. Ai shpreson të frymëzojë të rinjtë nga Kosova dhe diaspora që të ndjekin ëndrrat e tyre.
Ambiciet e tij për të ardhmen përfshijnë ndërtimin e një karriere të qëndrueshme në fushën e modelingut, bashkëpunimin me agjenci ndërkombëtare, dhe një ditë të jetë fytyra e markave të mëdha në modë dhe reklamë. Për të, moda është një formë arti dhe një mjet për të shprehur identitetin dhe historinë personale.