Deputeti i VV-së, Haki Abazi, ka njoftuar se nesër është caktuar seanca gjyqësore për shqyrtim në rastin e sulmit që ka ndodhur ndaj tij nga ana e kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, pas debatit në emisionin Pressing në T7.
Abazi ka publikuar në Facebook thirrjen për shqyrtim të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me rastin ku Abazi është i ftuar si i dëmtuar dhe si dëshmitar raporton Gazeta Express.
“Nesër në ora 13:15 në gjykatën themelore në Prishtinë, është caktuar seanca e hapur për shqyrtim kryesor për rastin e sulmit që është kryer në tv T7. Jam ftuar si i dëmtuar dhe si dëshmitar. Poashtu i ftuar është i akuzuari D.M për veprën penale nga neni 184 lidhur me nenin 31 të KPRK”, ka shkruar Abazi.
Një përleshje fizike që kishte ndodhur pas një debati të zhvilluar në televizionin T7, më 11 shtator 2019, në mes të kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD) Dardan Molliqaj, shoqëruesit të tij Fatos Sahiti dhe ish-zëvendëskryeministrit Haki Abazi, ka bërë që prokuroria të ngrejë një aktakuzë për këtë rast.
Debati i 11 shtatorit 2019, në mes Molliqajt dhe Abazit, ishte zhvilluar me tensione e ofendime, që kishin ndikuar që pas debatit të përfundonin me përleshje fizike.