Të hënën shënohet Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë.
Për herë të parë, një burrë rreth të pesëdhjetave do të rrëfejë publikisht për tmerrin e përjetuar 26 vjet më parë – një dëshmi e rrallë që thyen heshtjen mbi një nga plagët më të rënda të luftës.
Rrëfimin e tij e ka dëgjuar për vite me radhë, vetëm në seanca private, psikologia e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Selvi Izeti.
Ajo thotë se ky është moment historik, i cili do të thyej tabutë për gjithë burrat të cilët nuk kanë guximin të flasin.
“Për herë të parë në histori është një burrë i cili për një kohë të gjatë këtu në organizatë ka marrë trajtim dhe tash ndjehet i fuqizuar që heshtjen e tij ta bëjë zë dhe për herë të parë të flas publikisht para të gjithëve. Sigurisht ajo që presim është fakti që do të thyhen tabutë pa marrë parasysh që shoqëria jonë kohëve të fundit, ditëve të fundit po i mbështet të mbijetuarit e dhunës seksuale, mirëpo kur flasim për burrat që kanë përjetuar dhunë seksuale kjo çështje që ende mbetet e fshehur dhe ende mbetet e stigmatizuar. Për herë të parë i mbijetuari gjithë ankthin, frikën për vite që e ka përjetuar po e shndërron në forcë dhe po bëhet zë edhe për të tjerët që ende vuajnë në heshtje”, deklaron ajo.
Psikoterapistja Selvi Izeti tregon se shërimi i të mbijetuarit ka qenë proces i gjatë dhe tashmë i njëjti ka marrë guximin që të thyej heshtjen.
“Ky i mbijetuar që nga viti 2005 disa herë është paraqitur para organizatës për ndjesinë për të kërkuar ndihmë, por prapë turpi ka qenë më i fuqishëm se vet ai. Dhe ai ka hezituar për t’iu qasur burimeve të ndihmës, vazhdimisht për vite të tëra tregon se si ka ardhur deri tek parku ka shikuar gjithçka nga jashtë, por ‘nëse hyj brenda, nëse më njeh dikush, çfarë do të ndodhë me mua’. Derisa në vitin 2018, e dëgjon për herë të parë Vasfije Krasniqin duke e rrëfyer historinë e saj dhe aty e merr guximin edhe për t’i shkruar dhe për t’i treguar që edhe unë jam një i mbijetuar por që unë nuk kam forcën si ti me fol publikisht. Megjithatë, e pyet nëse mund të flas në organizatë, a është gjithçka e besueshme, a mbetet rrëfimi aty. Dhe aty e merr konfirmimin prej Vasfijes që gjithçka çka flitet në organizata që ofrojnë shërbime është konfidenciale. Dhe ky të nesërmen vjen në organizatë edhe për herë të parë gjithë heshtjen e tij, gjithë traumën e tij e flet me zë”, shton ajo.
Rrëfimi i parë publik i një të mbijetuari të dhunës seksuale, është shpresë që të gjithë ata që kanë përjetuar këtë tmerr lufte do të arrijnë të kërkojnë drejtësi.
“Kur mbërrimë deri tek kjo pikë unë e pata pyetur se ‘çka të shtynë me fol dhe me nda historinë tënde publikisht?’. Dhe pati thënë që ‘unë jam shumë i sigurt se ka shumë njerëz që ende jetojnë me të njëjtën traumë sikurse kam jetuar unë, ende jetojnë me të njëjtin frikë dhe të njëjtin ankth me të cilin kam jetuar unë. Dhe nëse rrëfimi im vetëm një të mbijetuar do ta shtyjë që të kërkojë ndihmë pasi të dëgjojë historinë time për mua është një paqe sepse unë kam qenë në lëkurën e tij, për mua Vasfija ka qenë inspirim dhe unë dua të jem shpëtim për dikë tjetër’”, rrëfen Izeti.
Në shënimin e Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale, Izeti thekson se thirrja është për më shumë solidaritet dhe mbështetje për këtë kategori të luftës.
“Dita Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale është thjesht një thirrje për gjithë shoqërinë kosovare që të jenë më mbështetëse, që të tregohen më të mirë kuptueshëm karshi të mbijetuarve të dhunës seksuale, ta trasojnë rrugën ku të mbijetuarit mund të kërkojnë ndihmë. Sepse gjithmonë kur të mbijetuarit ndjehen të kuptuar aty fillon hapi i shërimit të tyre. Derisa ne nuk flasim, derisa ne nuk krijojmë rrugë ku ata munden të ndjehen të lirshëm për të kërkuar ndihmë, stigma, trauma do të jetë aty. 14 prilli është thjesht një thirrje për më shumë solidaritet dhe për më shumë mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, përfundon Izeti.
Më 14 prill të vitit 1999, Vasfije Krasniqi Goodman, atë kohë 16-vjeçare u rrëmbye nga forca policore serbe dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht, raporton KosovaPress, transmeton Gazeta Papirus.
Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë.