Prej nesër më 15 mars, nis implementimi i projektit për vendosjen e stikersave nëpër xhama të automjeteve të regjistruara.
Sipas drejtuesve të Byros Kosovare të Sigurimit (BKS), ky projekt ka për qëllim uljen e numrit të automjeteve të pa siguruara në vend dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër.
Drejtori i BKS-së, Sami Mazreku ka thënë për KosovaPress, se nga nesër prej orës 10:00 nis të zbatohet në praktikë vendosja e stikersave nëpër xhamat e automjeteve. Mazreku theksoi se qytetarët nuk janë të obliguar të paguajnë për stikersat.
“Po, ashtu qysh kemi paralajmëruar ditë më parë, si Byro bashkë me Bankën Qendrore të Kosovës, kompanitë e sigurimeve, Agjencinë e Regjistrimit Civil, kemi përfunduar të gjitha aspektet teknike procedurale për me filluar nesër me vendosur stiksersa. Është premtuar çdoherë për me marrë veprime konkrete për me ul këtë numër të automjeteve (të paregjistruara), mirëpo asnjë herë nuk është bërë diçka konkrete, por tash është hera e parë që Byroja me përkrahjen e BQK-së, dhe aksionar të sigurimeve për këtë projekt të parë që po përkrahet me qëllim që ky numër të ulet në një masë të madhe. Ne po tentojmë që me këtë projekt me i ndihmuar policisë së Kosovës për t’i parë veturat në trafik pa pasur nevojë me i ndalë se a janë të regjistruara apo paregjistruar. Stikersi ka me pasur ngjyrën dalluese vjetore, si dhe datat tjera për me di dalluar policia se deri në cilin muaj i skadon regjistrimi”, u shpreh ai.
Drejtori Mazreku duke thënë se qytetarët do të kenë zero kosto për stikersat, tregon edhe për veprimet që duhet t’i bëjnë qytetarët të cilët i kanë regjistruar automjetet e tyre para 15 marsit.
”Komplet kostoja e këtij projekti është përkrahur nga aksionarët e kompanive të sigurimeve, kjo kosto ka me u mbuluar prej anëtarëve të Byros. Ka me pasur zero kosto për qytetarin. Madje, kemi kërkuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme që të gjithë ata qytetarët që i kanë siguruar veturat para datës 15 mars, e të cilët dëshirojnë me u pajisur stikeres me pasur mundësi që në mënyrë vullnetare me shkuar nëpër qendrat e regjistrimit me marrë stiskersat, meqenëse nuk kanë fare pagesë”, tha ai.
Edhe zëvendës ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha për KosovaPress, se nesër me gjasë do të nis zbatimi i këtij projekti, por që nuk ka dashur të jep më shumë detaje, pasi nesër do të mbahet një konferencë për media lidhur me vendosjen e stikersave.