Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paraushtarake serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejn një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë.
Forcat policore serbe që ishin futur përmes rrugës kryesore të fshatit kishin arrestuar në oborrin e shtëpisë (afër xhamisë) Banush Azem Kamberin, ndërsa familja e tij pak kohë më herët kishte braktisur shtëpinë. Forcat kriminale, Banushin pasi e maltretojnë fizikisht e ekzekutojnë me rafale automatiku në oborrin e fqiut të tij Rashit Rashiti. Këta barbarë të mesjetës, nuk e lënë me kaq, pas ekzekutimit Banushit ia këpusin edhe kokën, e cila nuk është gjetur dot në vendin e krimit. Formacionet kriminale, në të cilat janë radhitur edhe serbët lokalë, në këtë operacion shfarosës nuk lanë vend në fshat pa kontrolluar, djegur e shkatërruar.
Drama me e tmerrshme në këtë ditë, për banorët e Reçakut u zhvillua në shtëpinë e Sadik Osmanit. Qysh në orët e para të mëngjesit ishin tubuar shumë familje në podrumin e shtëpisë dhe në ahurin e lopëve të tij për t´u mbrojtur nga granatimet e artilerisë së rëndë. Kriminelët pasi kishin hetuar strehimin e banorëve të fshatit në këtë shtëpi, fillimisht nga largësia prej shtëpisë së Ragip Jahir Bajramit dhe shitores së Lutës (siç e quajn fshatarët) gjuajnë me armë të kalibreve të ndryshme dhe në këtë moment vrasin plakun Nazmi Nuha dhe më pastaj hidhen në sulm, rrethojnë shtëpinë e Sadikut dhe futen në oborr.
Dëshmitarët okular: Ramë Nesret Shabani dhe Sadie Ramadani, nga kjo ditë tragjike rikujtojnë: “ Rreth orës 8:30, jemi tubuar në bodrum të shtëpisë së Sadik Osmanit, për t´u mbrojtur nga granatimet. Aty kanë qenë rreth 30 gra me fëmijë, kurse prej meshkujve ishin Sadik Osmani, Ramë Nesret Shabani, Mufail Hajrizi, Burim Osmani dhe disa djemë të rinj. Ndërsa burrat tjerë, rreth 30 veta, kanë qenë të vendosur në ahurin e lopëve të Sadik Osmanit. Fillimisht policia serbe i ka nxjerrë jashtë nga ahuri burrat dhe mandej ka ardhur një polic i maskuar dhe ka hapur derën e bodrumit, ka këqyr brenda dhe ka dalë jashtë. Ndërkohë, ka ardhur komandanti i policisë së Shtimjes dhe e ka pyetur policin e maskuar:“Çka ka këtu brenda?“.Polici i përgjigjet:“Gra dhe fëmijë“. Komandanti ia kthen: “Pse po gënjen? Këtu paska edhe burra“. Na kanë nxjerrë në oborr dhe na i kanë marrë letërnjoftimet…, ndërsa gratë dhe fëmijtë i kanë mbyllur me dry (çelës) në bodrum.
Ndërkaq dëshmitari Bilall Sadri Avdiu, i cili ka qenë i strehuar në ahurin e lopëve thotë:” Dy tre policë e çelën derën e ahurit…dhe thanë:”Ima ovde mnogo irredentista, majko im jebem” (Këtu ka shumë irrredentistë, he nënën ja u qivsha). Na urdhëruan të dalim përjashtë me duart përpjet, dhe kur dolëm përjashtë ata kishin qenë shumë – 30 deri në 40 policë të renditur prej kodre, krejt të armatosur deri në dhëmbë e të mëdhenj, disa me masaka e disa pa to”. I kanë tubuar në oborr dhe ia kanë marrë letërnjoftimet e dokumentet tjera.
Në oborrin e Sadikut në këtë moment kritik ishin këta mashkuj: ”Hakip Imer Hakipi, Ahmet Izet Jakupi, Esheref Halim Jakupi, Lutfi Hasan Bilalli, Sadik Xhemë Osmani, Jashar Milaim Salihu, Njazi Sherif Zymberi, Shyqeri Ismajl Syla, Haqif Hysenaj nga fshati Petrovë, Muhamet Faik Syla, Fatmir Faik Ramadani, Murtez Ramiz Imeri, Mehmet Qerim Jakupi, Muhamet Hafiz Mustafa, Shukri Milaim Salihu, Sheremet Shyqeri Syla, Mufail Mehdi Hajrizi, Bujar Hanafi Hajrizi, Salih Faik Ramadani, Nexhat Faik Ramadani, Xheladin Ahmet Jakupi, Raif Milaim Salihu, Ragip Jahir Bajrami, Bajrush Nesret Shabani, Bilall Bilalli, Ramë Nesret Shabani, dhe Nesret Shabani. Sipas dëshmitarëve që kanë mbetur gjallë, kriminelët serbë pasi i kanë legjitimuar burrat e zënë, i kanë shtri për toke dhe kanë filluar t´i rrahin mizorisht duke përdorur kondakët e armëve, shqelmat, dru, zinxhirë dhe gjësende tjera të forta. Gjatë rrahjeve në oborrin e Sadikut, dëgjohej gjëma dhe britmat e burrave, ndërsa në bodrum qanin e lemeritnin gratë e fëmijtë e mbyllur në çelës.
Pas kësaj drame tmerruese, kriminelët sipas skenarit të përgatitur më herët kalojnë në fazën e dytë të veprimit. Dëshmitarët gjatë rrahjeve brutale në oborrin e shtëpisë së Sadik Osmanit kanë dëgjuar një komunikim me radiolidhje të drejtuesve të këtij oprecioni. Pas një orë e gjysmë rrahjesh për vdekje, dikur në mesditë, këta burra i marrin dhe në rresht (kolon) për një i nisin në drejtim të malit dhe te ”Gropa e Bebushit” ndalohen nga njësitë tjera kriminale serbe, me të cilët pak kohë më parë nga oborri i Sadikut është biseduar në radiolidhje.
Pikërisht në rrugicën e “Gropës së Bebushit” ashtu siç kanë qenë duke ecur në kolonë, njësitë kriminale serbe me rafale automatiku nga afër i ekzekutojnë pamëshirshëm 24 burra, ndërsa me këtë rast (meqë ishin të fundit në kolonë) arrijnë të shpëtojnë: Ramë Shabani, Bilall Bilalli, Nesret Shabani, Ali Qazimi dhe Immer Imeri.
Më 15 janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.
Lute Asllani
Banush Kamberi
Ragip Bajrami
Halim Beqiri
Rizah Beqiri
Zenel Beqiri
Lutfi Bilalli
Ajet Emini
Bujar Hajrizi
Myfail Hajrizi
Skënder Halili
Haqif Hysenaj
Hajriz Ibrahimi
Hakip Imeri
Murtez Imeri
Nazmi Imeri
Mehë Ismajli
Muhamet Ismaji
Ahmet Jakupi
Eshref Jakupi
Hajriz Jakupi
Mehmet Jakupi
Xhelal Jakupi
Jashar Jashari
Raif Jashari
Shukri Jashari
Fatmir Limani
Nexhat Limani
Salif Limani
Bajram Mehmeti
Hanumshah Mehmeti
Arif Metushi
Haki Metushi
Ahmet Mustafa
Asllan Mustafa
Muhamet Mustafa
Sadik Osmani
Jashar Salihu
Shukri Salihu
Bajrush Shabani
Ahmet Smajlaj
Sheremet Syla
Shyqëri Syla
Bajram Xheladini
Njazi Zymeri
Reagimet