Lideri i iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe”, Aleksandër Arsenijeviq, ka thënë se aktualisht në veriun e Mitrovicës nuk mund të zhvillohet as edhe një ndeshje futbolli, e lere më të mbahen zgjedhjet për katër komunat atje.
Në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka theksuar se nëse Lista Serbe bën ftesë për bojkot të zgjedhjeve, vështirë se dikush do të kandidojë.
“Tani në veriun e Kosovës nuk mund të zhvillohet as edhe një ndeshje futbolli e lere më të mbahen zgjedhjet”.
“Është dallim i madh midis asaj që ndodhi më 2019 dhe të tashmes. Tani kemi daljen e të gjithë serbëve nga të gjitha institucionet, ndërsa atëherë kishin dalë vetëm politikanët të cilët për një kohë të gjatë ishin dorëhequr. Madje për një vit i kishin kryer detyrat e tyre duke qenë të dorëhequr”.
“Kjo derisa deputetët evidentoheshin me kartelat e tyre në kuvend, për gjashtë muaj vetëm që të mos i humbnin mandatet. Kësaj radhe është krejt tjetër atmosferë midis qytetarëve. Kësaj radhe më duket se nuk bëhet fare fjalë për shaka”.
“Nëse Lista Serbe fton për bojkot, mendoj se është vështirë që dikush të kandidojë dhe nuk shoh arsye për diçka të tillë. Përveç shpenzimit të parave në fushatë, nuk shoh arsye pse dikush do të kandidonte sepse si Mitrovicë kemi diku rreth 6000 shqiptarë në listat zgjedhore dhe nuk ka asnjë gjatë të fitojë ndonjë serb”.
Kujtojmë se sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka ftuar në takim subjektet politike për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve për katër komunat në veri. Në një konferencë për media, ajo ka thënë se sipas gjitha gjasave, 18 dhjetori do të jetë dita kur mbahen zgjedhjet.
Klikoni në linkun e mëposhtëm për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje.