Pasi dialogu nuk bëri punë për të gjetur zgjidhjen për rritjen e pagave, punëtorët e korporatës energjetike të Kosovës (KEK) synojnë të arrijnë qëllimin në forma të tjera. Mbi 3000 punëtorë të kësaj ndërmarrjeje u dakorduan që të premten të protestojnë në Prishtinë para zyrave të KEK-ut.
“Ashtu siç është rrit në çdo sektor paga edhe ne kërkojmë rritjen në KEK për shkak të specifikave që i ka KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut. Punëtorët e KEK-ut i mbajnë nga 3 vende të punës, punëtorët e KEK-ut punojnë në shi, në borë, punëtorët e KEK-ut punojnë me ndërrime natë edhe ditë për me ndriçu Kosovën kurse të vetmit janë punëtorët e KEK-ut që nuk i’u kanë ngrit pagën”, tha Xhelal Jashari, punëtor i KEK-ut.
“Jemi shumë të kënaqur me prodhimin por me të ardhura absolut jo. Sepse krejt shkaku i inflacionit. Çdo ditë çmime të ndryshme nuk po mundemi me ja dal në fund me të ardhurat mujore”, deklaroi Haxhi Kastrati, punëtor i KEK-ut.
Përpos rritjes së rrogës punëtorët e KEK-ut kërkojnë edhe shujtën e ushqimit. Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, kërcënon me grevë nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.