Nënkryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Suat Berisha, ka thënë se kriza energjetike me të cilën po përballet vendi po dëmton edhe bizneset.
“Është evidente se Kosova po ballafaqohet me një krizë energjetike e cila përpos që prek ekonomitë familjare fatkeqësisht prek edhe bizneset kosovare. Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) është tepër e brengosur me impaktin që ka kjo krizë energjetike në komunitetin e bizneseve, prandaj kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të merren masa për sanimin e kësaj gjendje dhe evitimin e ndërprerjeve të mëtejshme të energjisë elektrike. Energjia elektrike ka ndikim të drejtpërdrejtë sidomos te industritë apo te ndërmarrjet prodhuese, sepse e pengon prodhimin”.
Berisha, në Sytë 7 në Klan Kosova, tha se kriza energjetike jep imazh tepër negativ ndaj investitorëve të huaj dhe ndikon në raportin e bizneseve kosovare me partnerët e jashtëm.