Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale.
Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se siguria po cenohet.
Për një rast të tillë që ka ndodhur dje te Fakulteti i Edukimit në Prishtinë, Policia ka arrestuar një person, i cili u denoncua nga për ngacmim dhe sulm.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima kësaj radhe është një 29-vjeçare, të cilën e shpëtoi shoqja e saj, e cila arriti ta njoftojë Policinë, ku kërkoi ndihmë.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari L.A., për motive akoma të panjohura i ka shkuar viktimës në fakultet, ku e ka marrë me forcë, duke e kërcënuar se do ta pësojë keq nëse tenton të ikë. “Nëse bërtet, qitu t’lo me thikë”, dyshohet se ishin fjalët e të dyshuarit, thonë të njëjtat burime.
Si rezultat i raportimit, Policia ka arritur që t’i intervistojë disa dëshmitarë dhe të arrestojë personin që po dyshohet për këtë rast.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij. Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.