Është nënshkruar plani bilateral në fushën e mbrojtjes për vitin 2023 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, këtë e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi në Facebook.
“Sipas protokollit zyrtar, nënshkrimi i planit bilateral u bë nga Drejtori i Politikave të Mbrojtjes i Ministrisë së Mbrojtjes, Faruk Geci dhe Shefja e Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Nënkolonel Biljana Nikolovska”, thuhej në njoftim.
Ky plan përmban aktivitetet kryesore të fushës së mbrojtjes të cilat do të realizohen në mes Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Të dy palët u pajtuan që bashkëpunimi në të ardhmen të zgjerohet e intensifikohet edhe më tej.