Përmbajtja e nenit 254 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dikujt nuk po i pëlqen. Bëhet fjalë për profesionistët shëndetësorë.
E, gjitha kjo ka ardhur pasi që Ministria e Drejtësisë në vitin 2018 kishte inicuar nismën për ndryshim-plotësimin e Kodit Penal, me ç’rast, një dispozitë që sanksionon disa veprime të mjekëve, po kundërshtohet nga ta.
Bëhet fjalë për veprën “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Sipas këtij neni, çdo pakujdesi e mjekëve gjatë trajtimit të pacientëve, do të cilësohet si vepër penale.
Kjo po has në kundërshtim nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Lidhur me këtë çështje, nga ministria që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu kanë një përgjigje.
Në anën tjetër, pakënaqësitë e Odës së Mjekëve, po i mbështet edhe deputeti Shemsedin Drejshaj, që është edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Sipas tij, neni 254 i Kodit Penal është mjaft konfuz dhe si i tillë duhet të rishikohet.
Sipas legjislacionit paraprak, vepra penale e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor ka mundur që të kryhet vetëm me formën e fajësisë me dashje eventuale, kurse tani me ndryshimet e bëra, kjo vepër penale mund te kryhet edhe nga pakujdesia.