Përkundër se kanë mendime të ndryshme për tema shumë të rëndësishme dhe me ndikim, ministri Nenad Rashiq thotë se me Kryeministri Kurti kanë bashkëpunim dhe komunikim të vazhdueshëm. Draft-statutin për asociacionin e komunave me shumicës serbe të propozuar nga pala kosovare Rashiq e vlerëson si vizion ose themel ligjor, ndërsa propozimin e ekipit menaxhues më shumë si tendencë që të propozojnë diçka që dihet se është e pa-pranueshme.
“Ne kemi qenë gjithmonë serbë dhe nuk ka dyshim se kush është nëna jonë, por nëse tashmë jemi birësuar, atëherë duhet ta duam edhe njerkën edhe nënën tonë”.
Nënë thotë se e ka Serbinë, ndërsa në mënyrë figurative Kosovën e përshkruan si njerkë, që duhet ta duan.
Jo vetëm kjo deklaratë e dhënë për BBC-në në gjuhën serbe e dëshmon se është politikan interesant e i guximshëm.
Nenad Rashiq është njëri ndër politikanët e paktë serbë, që vendin që ka lindur e njeh si shtet.
Për shkak të këtyre qëndrimeve, Rashiq ndër vite ishte viktimë e shantazheve dhe kërcënimit nga Lista Serbe, parti që shërben si dorë e Beogradit në Kosovë.
Në kohën kur nga institucionet është tërhequr partia e dirigjuar nga Beogradi, Rashiq është bërë pjesë e Qeverisë.
Me Kryeministrin Kurti, Rashiq thotë se nuk pajtohen për shumëçka por vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin normal. Krahas guximit që të jetë ministër brenda Qeverisë, Rashiq nuk heziton edhe publikisht të tregojë qëndrimin për draftin e asociacionit të cilin e ka refuzuar pala kosovare.
“E para nuk jam i kënaqur me draftin që kanë propozuar ekipi menaxhues… por na është propozu në atë mënyrë, sa kam mundur ta shoh sepse nuk e kamë parë dokumentin në tërësi sa kam mundur të shoh, shumë pak potencohet në mënyrë thelbësore se ku ai asociacion duhet të inporohet, përkundër kësaj nuk e përmend aspak Kosovën, që unë e shoh si një tendencë për të prezantuar diçka që nuk mund të pranohet”, ka thënë Nenad Rashiq, Ministër për Komunitete dhe Kthim.
Ministri Rashiq qëndrim më të zbutur ka në raport me draftin e propozuar nga Kurti, i cili bazohet në praktikën e ndjekur për serbët në Kroaci.
“Unë prej anës së Qeverisë së Kosovës në këtë rast nga Kryeministri kam parë do të thoja “vizion” ose shtyllat esenciale ose shtylla parimore, sa i përket se në cilin drejtim duhet të shkojë ai propozim, por deri në këtë moment nuk kemi propozim konkret, e kemi një siç kanë thënë edhe gazetarët dhe pajtohem, është një vizion ose është themeli ligjor”, shtoi Rashiq.
Rashiq shprehet i kënaqur me zhvillimet e fundit në dialog, por thotë se është i vetëdijshëm se marrëveshja finale do të marrë edhe disa vite.
50 vjeçari që jeton në Graçanicë ka shërbyer edhe më parë si ministër për mirëqenie sociale, ndërsa është njëri një nga themeluesit e Partisë së Pavarur Liberale (SLS), parti nga e cila u larguar në vitin 2013. Aktualisht është kryetar i Partisë Demokratike Progresive të Kosovës.