Janë bërë 5 vite që ai asnjë moment nuk pushon së kërkuari drejtësi për nënën, që i vdiq në njërin nga spitalet private. Ideal Vejsa me profesion arkitekt, në maj të vitit 2009 e kishte dërguar nënën e tij, Reshide Vejsa për një operacion estetik në gju, por as që e kishte menduar ndonjëherë se nëna e tij do të dilte nga spitali në arkivol.
Neglizhenca e Prokurorisë po vazhdon për këtë vdekje që mbeti mister, ndërsa djali i të ndjerës i prekur thotë se nënën s’mund ta kthejnë, por nuk duan që kjo t’iu ndodhë edhe të tjerëve.
“Pas një insistimi shumë të gjatë, që ta kemi një termin te doktori, arritëm me pasë ni termin për ni intervenim të lehtë në gju, dmth ka pasë një intervenim me kamera na ka thanë edhe në atë kohë kur e kujtojmë tash, mos të them një invervenim estetik. Me datën 15.05.2019 e çum nanën edhe fillum përgatitjet, fillimisht analizat paraprake, që gjitha rezultatet dolën mirë, i mbushëm të gjitha ato formularët paraprakë që duhen, edhe u shtri nana për parapërgatitje për intervenim. Edhe motrat (mediciionale), siç shkrun edhe në raport, ato ia kanë përgatit një infuzion i cili ka qenë i kombinum, ku brenda tij ka pasur edhe antibiotik, dhe ai antibiotik ka kriju një reagim, motra ime e madhe ka qenë aty dhe ajo nuk ka ditë me reagu si duhet në vend që me heq, me ditë që është duke ardhë prej infuzionit ka fillu me mat tensionin. Nanës ma s’pari ka fillu mi ardhë nxehtë edhe i ka thanë motrës që me e çele dritaren, masanej kanë fillu me iu shfaq disa shenja të alergjisë. Kur ka ardhë infermierja, e ka ftu edhe anesteziologun, deri sa ka ardhë ai sepse ka qenë në një sallë të operimit, nanës veç iu keqësu gjendja dhe ka fillu edhe frymëmarrja me iu nxon, mirëo asnjonit prej tyne nuk i bie në mend që duhet me ia heq infuzionin, sepse infuzioni ka qenë ai që ka shkaktu reagim. Në ato momente, mos reagimi i tyre, shkaktoi vdekjen e nënës time.”
Familja Vejsa dyshon se ditën kritike, pacientes mbi moshën 60-vjeçare iu përkeqësua gjendja gjatë kohës sa po përgatitej në sallën e operacionit si pasojë e një alergjie, derisa Ideal Vejsa pretendon se reagimi i stafit shëndetësor ndaj reaksionit alergjik që i jepnin nga terapia, nuk ishte adekuat.
“Nuk i japin anti shok, nuk ia largojnë infuzionin, e largojnë motrën teme prej dhomës, vetëm kur domethënë situata vetëm keqësohet, edhe vijnë mjekët tjerë, masandej qa ndodhë aty mbrapa na nuk e dijmë mirëpo qat pjesën e parë dmth qat reagimin e shpejtë që ish dasht me iu jap, nuk iu është dhënë si duhet”, tha ai.
Sipas tij, për një periudhë kohore të dy orëve gjatë këtij procesi, nëna e tij kishte ndërruar jetë.
“Na e çojmë vet në gjendje shumë të mirë, i bojmë analizat, edhe shtrihet në shtrat për mu përgatit për me hi në intervenim, nuk arrin as në intervenim me hy për shkak se antibiotiku krijon një shok anafillaktik, dhe doktorët apo edhe infermierja nuk arrin me intervenu si duhet, dhe vdes nana. Ata, derisa e nxjerrin motrën teme prej dhomës, dmth zgjat rreh një gjysmë ore, mirëpo pastaj vijnë edhe doktorët tjerë edhe tentojnë me kthy në jetë, mirëpo shoki që e ka kriju ka qenë shumë vonë, për reagimet tjera pastaj.“
Familja Vejsa përkundër që nuk fajëson doktorët specifikisht, ata dyshojnë në mos trajtimin e ndërhyrjes në kohë të nënës së tyre.
Ditën që kishte ndodhur vdekja, ata kishin ftuar Prokurorinë dhe Policinë që të merren me rastin e vdekjes, sipas tyre të dyshimtë, por as sot, qe 5 vite, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda nuk ka kthyer asnjë përgjigje në hetimet që i ka bërë deri në këto momente e as për rezultatet e këtij hetimi.
“E ftojmë Policinë e Prokurorinë, e marrin rastin, e urdhërojnë për mu bo autopsia, autopsia del që nana të gjitha organet i ka pasë në rregull, dmth gjendja e saj ka qenë shumë e mirë, mirëpo dyshohet për një shok anafillaktik, po autopsia thotë që na nuk kemi laborator për me bo analizën post për me këqyr prej çkafit ka ardhë. Urdhëron për me e çu dikun jashtë, na presim që 5 vjet edhe Prokuroria nuk merr vendim. Tre prokurorë ndërrohen. Pas prokurorit, Hivzi Bajraktari i cili ka qenë kujdestar, pastaj Shemsie Asllani dhe tash së fundi është Dulina Hamiti, e cila para një viti e ka ftu motrën time për një intervistë, edhe e ka pyet se qysh ka qenë rasti, por asnjë reagim prej Prokurorisë“, tha Ideal Vejsa.
Vejsa tha se ende nuk kanë ngritur asnjë kallëzim penal, duke shtuar se nuk ka lëvizur asgjë prej pikës zero.
“Na si familjar jemi interesu vet për mi çu vet mostrat, kemi qenë edhe në gjendje shpenzimet familjare vet mi marrë, mirëpo kanë konstatu që këto punë shkojnë përmes Prokurorisë, pra duhet përmes kërkesës së Prokurorisë për me ecë tutje procesi, nuk është proces që na privatisht me çu. Kështu që mbas gjithë këtyre viteve, shpresojmë që rasti ka me u trajtu si duhet, sepse nana jonë nuk kthehet, mirëpo dëshirojmë që kjo mos me iu ndodhë të tjerëve”, tha familjari.
Ndërsa e vetmja gjë që familja Vejsa kërkojnë është zbardhja e rastit nga institucionet e drejtësisë.
Nga spitali në fjalë ku ka ndodhur vdekja, “Royal Medical”, tashmë më shumë se dy javë nuk iu janë përgjigjur për rastin që ka ndodhur para 5 viteve.
E ndjera Reshide Vejsa, sipas raportit të Mjekësisë Ligjore, kur ishte hospitalizuar e kishte gjendjen e mirë shëndetësore.
Papërgjegjësi të madhe institucionale dhe mosprofesionalisëm e quan edhe avokati i familjes Vejsa, Besnik Berisha.
Berisha e ka përmendur edhe mungesën e një kërkese nga ana e Prokurorisë për zbardhjen e rastit përmes ekspertizave mjeko-ligjore.
“Ngecja është neglizhenca, e para është papërgjegjësia profesionale, e dyta është dembelia profesionale dhe e treta është mungesa e komunikimeve me institucionet jashtë vendit. Pra një prokuror për të komuniku mirëfillt me një institucion ta marrim shembull Zvicrën ose Austrinë, duhet të kalojë 10 filtra me 10 përkthyes të futur në mes për të ardhur deri në një kontakt të drejtëpërdrejtë. Ajo që kemi ofru ne ishte gatishmëria për të mbulu shpenzimet, jo që kishim detyrim por për shkak se synonim të kishim përshpejtim. Tjera që kishim nevojë ishte lirimi i mostrave nga Instituti, në mënyrë që edhe ne t’i dërgonim edhe fizikisht në institucionin ku kryhen këto analiza institucionalisht por as e para, as e dyta nuk ka ndodhë. E kuptojmë kufizimet e institutit tëmjekësisë ligjore por assesi neglizhencën e Prokurorisë për të marrë vendime, që i merr në raste kur dikush i merr në telefon që i thotë se kjo çështje duhet të përfundojë kështu apo ashtu..”, tha Berisha.
Në anën tjetër, Berisha tregon se ata i kanë ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore në lidhje me të drejtën e familjes për të ditur shkaktarin e vdekjes së nënës së tyre.
“Qëllimi ynë nuk është për t’i vu gishtin asnjë profesionisti shëndetësor e as ndonjë institucioni të licencuar për trajtime të tilla, sepse e dimë që asgjë nuk ka ndodhë me dashje e aq më pak me dijeni. Po ajo çfarë është shqetësuese, alarmuese besoj unë është pritja kaq e gjatë për të marrë një përgjigje, se kush ishte shkaktari i vdekjes, meqë në Institutin Mjeko-Ligjor të Kosovës, një veprim i tillë nuk kryhet. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për ta lëvizur Prokurorinë nga vendi, Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Prokurorët aso kohe kompetent, njëri e tjetri më pas, kryeprokurori, ish-kryeprokurorin, dhe kemi dërgu financat tonë në mënyrë që të dërgohet analiza histopatologjike të bëhet në laboratoret e njohura ose intitute të tjera ku kryhet. Kemi marrë përgjigje që po shohim, po bëjmë, s’kemi pas raste, kemi pas raste, tani është caktu një prokuror tjetër, disa herë prokurorja që ishte kompetete ose e ngarkuar në këtë çështje na ka marrë në telefon edhe na ka premtu se do të veprojë, por e vërteta është që 5 vite ankthi i familjes është, çdo përvjetor i bren në shpirt se pse sot nuk e dinë edhe sikur nuk po bëjnë më shumë për ta sqaru edhe para vetes edhe para tjereve se pse nuk jeton nëna e tyre sot“, u shpreh Berisha.
Për 5 vite që nuk është zgjedhur rasti i vdekjes së Reshide Vejsa, në rastin e saj janë ndërruar tre prokurorë të rastit, ku ende asnjëri prej tyre nuk ka dhënë një epilog të gjithë asaj se çfarë ka ndodhur.
“Ne iu kemi drejtu ish-kryerokurorit të Prokurorisë në Prishtinë si rezultat i pa-lëvzishërisë së prokurorëve ose vartësve të tij me kërkesë që të ndikojë që veprimet hetimore të ndërmirren, duke e prezumu secilin që në kuadër të kompetencave të tij duhet të bëjë më shumë për ta sqaru se kush është shkaktari i vdekjes sepse eksperti i mjekësisë ligjore që e ka kry autopsinë ka konstatu se në mungesë të analizave stopatologjike, mungesë të IGE-së e histopatologjive të tjera nuk mund të konstatojë shkaktarin e vdekjes.
Ajo çfarë është shqetësese, autopsia ka konstatu vetëm anën pozitive, se e ndjera nuk ka vujt nga asnjë sëmundje, nuk ka pasë asnjë anomali të njohur edhe organet e saja vitale kanë funksionu deri në momentin kur vdekja është konstatu.
Tash çfarë kemi para vetes, kemi një periudhë 5-vjeçare pritje ankthi, kemi një praktikë të Prokurorisë që pas 12 viteve siguron ekspertiza por është e kotë, pastaj edhe nëse vërtetohet se ka pasur neglizhencë trajtimi ose metoda të papërshtatshme tajtimi. Siç duket, Prokuroria kurdo që çështja nuk bëhet publike dhe nuk bën jehonë mediatike i fut “vesht në lesh”, dhe pret nëse dikush troket në dyert e tyre sepse prioritet mbetet ende korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe harrohen jeta e personave dhe hallet e të dëmtuarve.”
Familja Vejsa pret që të marrë megjithatë një përgjigje nga Prokuroria e që do të definonte shkakun e vdekjes së nënës së tyre.
Dështimi i sistemit të drejtësisë për t’i zbardhur raste të tilla të vdekjes apo për t’i dhënë vulë hetimit për vdekjen e papritur të pacientes, i bënë ata të mos besojnë as në sistemin e drejtësisë e as në atë shëndetësor.