Në Itali po regjistrohen viktimat e para nga i nxehti. Mediat në vend raportojnë se një 59-vjeçare ka ndërruar jetë në “Vito Fazzi”, në Leçe si pasojë e të nxehtit.
Megjithatë, sipas mediave, situatën e 59-vjeçares nga Carmiano e rëndoi më tepër mungesa e akullit në spital.
Temperatura e gruas kishte shkuar në 42°C kur ajo mbërriti në urgjencë. Dhe, përpjekjet për ta ftohur me çarçafë të lagur dhe trajtime farmakologjike, si paracetamoli në venë, rezultuan të kota.
Urgjencën për gjendjen e rënduar të 59-vjeçares e kishte njoftuar djali i saj 14-vjeçar. Ai e gjeti të ëmën në dysheme, të mbuluar nga djersët dhe me temperaturë të lartë.
Pasi u transportua në Departamentin e Urgjencës së Vito Fazzi-t, i cili atë ishte plot me pacientë me sëmundje të lidhura me nxehtësinë, gruaja u mbështoll me çarçafë të lagur në përpjekje për ta sjellë në vete.
Zemra e saj pushoi së rrahuri në orët e vona të mbrëmjes, edhe para se të transferohej nga Lecce në repartin e kujdesit intensiv të Casarano. Dhe, para se të mbërrinin 60 kilogramë akull të dhuruar që mund t’i kishte shpëtuar jetën nëse do të gjendej në spital.