Ish zëdhënesi për media i AAK-së ,sot drejtor i Radio Ksoovës, ka reaguar pērmes një postimi në Facebook lidhur me Skenderajin dhe familjen Jashari.
Postimi i tij plotë:
Në Skënderaj nuk humbi Familja Jashari. Askush nuk e mposhti Familjen Jashari. Por, atje, nuk fitoi, kësaj radhe, politikani Bekim Jashari. Kjo është demokracia. Ky është dallimi.
Një mandat më herët, po i njëjti Skënderaj, në mënyrë plebishitare e votoi Bekimin.
Pasardhësit e Jasharëve të pavdekshëm nesër mund të jenë jo vetëm politikanë, por, pse jo, edhe sportistë të mëdhenj. Dhe kjo nuk do të thotë se në një garë a në një lojë, në të cilën të mundshme janë tri rezultatet, edhe të mos e humbin ndonjë ndeshje.
Përndryshe, ata janë fitimtarët më të mëdhenj. Ata ndryshuan epokë. Vepra e tyre e fundshekullit të kaluar as nuk përzihet e as nuk krahasohet me asgjë. Ajo është e paprekshme. Ajo është e papërzieshme. Ajo është e pastër. Ajo është Një.
Në fund të fundit, Jasharët dhe vepra e tyre, janë më të mëdhenj sesa Skënderaj dhe kufijtë e Drenicës.
Ata nuk janë vetëm të atij lokaliteti, por janë emërues i lirisë dhe sakrificës për mbarë gjeografinë tonë etnike. Janë inspirim i luftës për liri kudo në botë.
I vogël është Skënderaj për ta tkurrur aty një epokë dhe një histori, siç është ajo e Jasharëve. Ata nuk ishin e nuk duhet të jenë kurrë monedhë kusuritjesh politike.
Jasharët janë Jasharë.
Bekimi është politikan (të cilin e kam parë me admirim qysh në sprovimet e tij të para në politikë dhe e shoh edhe sot).
Po ashtu, kolltuku i të parit të një komune eshtë shumë i vogël për Jasharët e mëdhenj, për mbiemrin dhe lavdinë e tyre.