Kanë filluar gërmimet në fshatin Shtaval në shtetin e Serbisë. Aty po dyshohet se gjendet një varrezë masive me shqiptarë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë. Bajram Çerkini, kryetar i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur ka thënë se informatat për mundësinë e një varreze me shqiptarë të vrarë në Shtaval, i ka dhënë bashkësia ndërkombëtare përmes imazheve satelitore
Në fshatin Shtaval të Sienicës në Serbi kanë filluar gërmimet nën dyshimet për varrezë masive në atë lokacion.
Bajram Çerkini kryetar i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, i cili ishte i ftuar ne emisionin “Five”, të Rtv Dukagjinit, ka thënë se informatën se në fshatin Shtaval mund të ketë mbetje mortrore të shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit e kishin para tre vjetëve.
“Dje kanë filluar gërmimet pas tri vjetëve diskutimi, pasi kanë ardhur disa pamje satelitore dhe kemi marrë pjesë në fillimin e gërmimeve në Shaval”, ka thënë Çerkini.
Çerkini është shprehur se informatat për mundësinë e një varreze me shqiptarë të vrarë në Shtaval, i ka dhënë bashkësia ndërkombëtare përmes imazheve satelitore.
Ai e ka konsideruar të pakuptueshme pritjen tre vjeçare për të gërmuar në atë lokacion.
“Kanë filluar të gërmohet sipas imazheve satelitore dhe pas urdhërit nga prokuroria e Serbisë. Është një lojë e madhe e Serbisë, se me pritë tri vjet për të diskutuar se si duhet të ja nisin apo çfarë dokumentacione duhet të ketë për fillimin e gërmimeve, haptas shihet që ka një lojë nga prokuroria e Serbisë”, ka thënë ai.
Ai u ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për t’i ndihmuar në mënyrë që t’i gjejnë sa më shpejtë shqiptarët që janë vrarë e janë dërguar për t’u varrosur në Serbi, shkruan portali D.
Sipas tij, ka dëshmitarë që tregojnë se 20 autobusë të mbushur me të vrarë shqiptarë, janë dërguar për në Serbi.
“Ne gjithmonë presim se do të ketë rezultate, por ata nuk tregojnë kurrë se ku janë, sikur që nuk kanë treguar në Kizhevag. Tash është më ndryshe sepse dihet me dëshmitarë të tyre se aty kanë shkuar 20 autobusë me shqiptarë. Ku i kanë shpërndarë, në mbeturinat e minierës apo diku tjetër, serbët duhet të na tregojnë. Nëse nuk na tregojnë pres nga ndërkombëtarët të na ndihmojnë, nuk pres nga Serbia që të na tregojnë”, ka theksuar ai.
Çerkini ka shtuar se pret që në dialogun Kosovë-Serbi, të bisedohet për çështjen e të pagjeturve. /Gazeta Papirus/