Si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta të punës Lobit Euro-Atlantik Shqoptar, dhe shoqatës “Albnor Rogaland”, në qytetin Sandnes të rajonit të Rogaland, për herë të parë është hapur shkolla shqipe.
Kryetari i Lobit për Norvegji, Fehmi Bekteshi, i cili bëri hapjen zyrtare të shkollës, ka thënë se LEASH, ka punuar shumë gjatë dy viteve për këtë nismë.
Bekteshi shprehu gatishmërinë dhe optimizmin për hapjen e shkollave shqipe edhe nëpër qytete të tjera.
“Angazhimi i LEASH-it, për hapjen e kësaj shkolle ka qenë në vazhdimësi përgjatë dy viteve. Ne si organizatë, po ashtu dhe shoqatë “Albnor Rogaland”, jemi duke punuar që të rrisim numrin e shkollave shqipe edhe në qytetet e tjera të Norvegjisë, aty ku ka më shumë shqiptarë”, tha Bekteshi.Tutje shtoi se shkolla shqipe ka rëndesi të veçantë për komunitetin shqiptar.
“Ne duhet të punojmë shumë si komunitet shqiptar, përfshirë Ambasadën e Kosovës në Oslo, që të hapim sa më shumë shkolla shqipe – kjo si mënyrë për ta mbajtur gjallë, gjuhën, kulturën e traditën shqiptare. Këto janë të ndërlidhura sëbashku”, theksoi kryetari i Lobit në Norvegji.
I pranishëm në ceremoninë e hapjes së shkollës shqipe ishte edhe Ambasadori i Kosovës Uliks Emra.
Ai këtë ngjarje e quajti arritje të madhe të komunitetit shqiptar në Norvegji.
“Jam i nderuar dhe privilegjuar me pjesëmarjen në këtë ngjarje historike. Uroj të pranishmit, veçanërisht organizatorët, nxënësit, mësuesit dhe prindërit për këtë arritje të madhe” tha ambasadori në fjalën e tij.
Emra ka apeluar tek prindërit që t’i përgjigjen masivisht kësaj iniciative, duke theksuar se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës së shenjtë shqipe në Diasporë.