Në konferencë javore, zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle, ka pohuar se edhe një viktimë tjetër pati kërkesë për pjesëmarrje, por iu refuzua.
“Më 15 maj, Trupi Gjykues në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit vendosi mbi dy raporte të Zyrës Administrative në lidhje me kërkesat e viktimave për pjesëmarrje në proces. Në vendimin e tyre, gjykatësit miratuan kërkesat për pjesëmarrje në procestë katër viktimave dhe hodhën poshtë kërkesën e një viktime”, tha Doyle.
I njëjti shtoi se rregullorja e DHSK-së u lejon gjykatësve të pranojnë kërkesat e paraqitura pas kalimit të afatit, në qoftë se paraqiten arsye bindëse.
“Në vendim gjykatësit shpjeguan arsyetimin e tyre për pranimin e kërkesës së secilës nga katër viktimat. Këto katër viktima do t’i bashkohen grupit të viktimave pjesëmarrëse që përfaqësohen nga Mbrojtësi i Viktimave, Sajmon Loz”.
Në këtë çështje gjyqësore tani marrin pjesë 156 viktima.
Në paraqitjet e tyre të para, në vitin 2020, të katër të akuzuarit kanë deklaruar se janë të pafajshëm.