Besnik Mujeci, asamblist i VV-së, humbi thuajse çdo gjë ditën që u kap me katër persona të tjerë me drogë të llojit ekstazi në Tiranë. U përjashtua nga partia, bashkëpartiakët u distancuan nga veprimet e tij e mbeti në burg “pa afat” në Tiranë. Me gjasë do të përjashtohet edhe nga Bordi i Stacioneve të Autobusëve ku ishte aksionar.
Besnik Mujeci dhe katër të dyshuar të tjerë që u kapën me ekstazi në Tiranë do të qëndrojnë në paraburgim pa afat të caktuar në Shqipëri.
Kjo pasi tek ta u gjetën 11.300 doza të llojit të drogës ekstazi që u llogarit se kushton rreth 400 mijë euro.
E pikërisht kësaj pune Mujeci ia pa sherrin.
S’vonoi shumë e bashkëpartiakët e tij, filluan të dalin haptazi e të distancohen nga veprimet e Mujecit. Lëvizja Vetëvendosje thirri Komision Hetimor e mori vendim për ta përjashtuar Mujecin nga partia.
“Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Diciplinor i LVV menjëherë ka trajtuar këtë rast. Si rrjedhojë Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, konfirmoi anëtari i VV-së në KQZ, Alim Rama.
Dënim meritor për asamblistin e VV-së në Prishtinë kërkoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Sipas saj, veprimet për të cilat dyshohet Mujeci janë krime të rënda.
“Komisioni Disiplinor mori vendim për përjashtimin e Besnik Mujecit nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Veprimet për të cilat është arrestuar Besnik Mujeci janë krime të rënda dhe institucionet e drejtësisë duhet ta marrin dënimin e merituar!”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook.
Me gjasë Mujeci shpejtë do të përjashtohet nga Bordi i Stacionit të Autobusëve ku ishte aksionar.
Kjo pasi pak muaj më parë, VV-ja e vendosi në atë pozitë pas ndryshimeve në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
E Mujeci në zgjedhjet e fundit lokale ishte ndër më të votuarit në listën e VV-së për asamblistë.
Vet ai shfaqte aktivizëm të fortë për VV-në e për liderin Albin Kurti. Nuk mungonin fotografitë e tij edhe me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla e me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Dy kosovarët, Mithat Ramadani dhe Besnik Mujeci, si dhe tre bashkëpunëtorët e tyre nga Shqipëria, Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia, do të qendrojnë në qeli deri në fund të hetimeve.
Arrestimi i Mujecit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij, është kryer pas një hetimi disamujor në kuadër të operacionit të koduar “PUNISHER 2”.
Sipas Policisë së Shtetit, fluksi i sezonit turistik në Shqipëri këtë verë u shfrytëzua edhe për trafikim të drogës nga Kosova në Shqipëri.
Droga u tha se transportohej përmes linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë.
Policia e Shtetit ka njoftuar se pasi droga arrinte në Tiranë, ajo transportohej me vetura të marra me qira.
Transportimi bëhej në kryeqytet e edhe në qytete të tjera, kryesisht vende bregdetare.
Nga veprimet policore që u ndërmorën është dëshmuar se vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.
“Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci” – thuhet në njoftim të Policisë së Shtetit.
Përpos tabletave të ekstazisë MDMA, Policia e Shtetit gjatë aksionit ka sekuestruar edhe një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet si dhe 5 telefona.