Sot është mbajtur akademia përkujtimore e organizuar nga Universiteti i Mitrovicës, ku u kujtua akademik Minir Dushin si një personalitet të shquar dhe një njeri me cilësi të spikatura, si në jetën profesionale ashtu edhe në atë personale.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila tha se puna dhe vepra e tij përfaqësojnë një enciklopedi të tërë përpjekjesh dhe arritjesh sistematike, përgjatë thuajse një shekulli.
“Ai ishte inxhinieri i parë shqiptar në Trepçë, i cili e njihte më mirë se askush procesin e punës në gjeologji dhe miniera. Akademik Dushi ishte një shembull i shkëlqyer i intelektualit dhe mësimdhënësit të përjetshëm. Si pjesëmarrës në themelimin dhe ndërtimin e institucioneve më prestigjioze të arsimit dhe shkencës në Kosovë, ai u bë sinonim i tyre”.
“Kontributi i tij në hulumtimet shkencore mbetet i jashtëzakonshëm. Sot numërojmë mbi 180 njësi bibliografike dhe punime shkencore me vlera të veçanta, të cilat ende i shërbejnë studentëve dhe stafit akademik të Fakultetit të Gjeoshkencave dhe departamenteve përkatëse”, ka thënë Nagavci.