Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar ndihmë ushtarake prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën, por edhe për disa nga shtetet e Ballkanit përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Një zyrtar i Departmantit amerikan të Shtetit tha se përafërisht 1 miliard dollarë do të ndahen për Ukrainën.
Pjesa tjetër do të ndahet midis: Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Bullgarisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Estonisë, Gjeorgjisë, Lituanisë, Letonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.
Ndihma ka për qëllim të përdoret për mbrojtjen e sovranitetit, modernizimin e forcave të sigurisë, përmirësimin e partneritetit me aleancën ushtarake të NATO-s dhe forcimin e kapaciteteve për “t’iu kundërvënë ndikimit rus dhe agresionit”, tha zyrtari amerikan.
Ndihma amerikane vjen në formë të granteve dhe kredive që do të lejojë shtetet të blejnë armë dhe pajisje mbrojtëse të prodhuara në SHBA.
Sekretari Blinken njoftoi për ndihmën e re gjatë vizitës në Kiev më 8 shtator. Kjo është vizita e dytë e kryediplomatit amerikan në kryeqytetin ukrainas, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.