Edhe pse Kosova shënoi disa rekorde negative në fushën e ekonomisë gjatë vitit 2022, kjo nuk po mjafton që Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse në pushtet, të mundohet që përmes disa videove të synoj paraqitjen e “realitetin faktik” të situatës në të cilën gjendet Kosova që nga ardhja e tyre në pushtet. Por çfarë e karakterizoi Kosovën e vitit 2022?
Në një video mbi 3-minutëshe “Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit” të publikuar ditë më parë, VV-ja shënjestroi profesorët e LDK-së duke pretenduar se idetë e tyre të politikave ekonomike nuk u sjellin dobi qytetarëve të Kosovës. Kjo sepse, sipas tyre, kërkesat e tyre nuk paraqisnin përmirësim të jetës së qytetarëve.
“Lidhja Demokratike e Kosovës mburret me akademikët e saj për profesorët e doktorët në Universitetet publike dhe private vetëm për ekonomi ajo ka pothuajse gjithë katedrën e kësaj fushe në UP. Por cilat janë alternativat e tyre për ekonomi në këto dy vite? Propozimi për ta ulur e më pas për ta hequr akcizën dhe TVSH-në për naftën, tërheqjen e 30 për qind të TRUST-it, dhe ulja e tatimeve e rritja e pagave këto pra ishin tri propozimet e tyre. E para, ajo për akcizën dhe TVSH-në e naftës, u shërben naftëtarëve ta rrisin marzhën e fitimit. Ne e vendosëm çmimin tavan, i cili uli çmimin për qytetarët.” – thuhej në video.
Në vazhdimin e kësaj videoje, LVV-ja tregonte se si qeverisjen e Kurtit ka ndryshuar kursi i ekonomisë. Aty flitet për “sukseset” e skemave sociale, “rritjen ekonomike”, etj.
Viti i krizës së madhe
Derisa Kosova por rikuperohej nga kriza ekonomike shkaktuar nga pandemia Covid-19, viti 2022 e gjeti kontinentin e Evropës në mes të një luftë. Agresioni i pa provokuar rus në Ukrainë bëri që ekonomia në mbarë botën të përjetoi një tjetër goditje ekonomike.
Kosova, si një vend i vogël, i pafuqishëm për të përballuar krizat ekonomike botërore, e pa veten në mes të një inflacioni dyshifror brenda një kohe mjaft të shkurtër, një ngadalësimi drastik të rritjes ekonomike dhe një rritje eksponenciale të çmimit të produkteve bazë.
Siç është theksuar me vija të trasha në raportet e Bankës Botërore(Raporti i Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, “Mbrojtjes Sociale për Rimëkëmbje”) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (Raporti i Stafit; dhe Deklarata e Drejtorit Ekzekutiv për Republikën e Kosovës, 2022) rritja ekonomike në Kosovë është ngadalësuar fort në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021.
Nëse e krahasojmë me vendet e Ballkanit, duke perjashtuar Maqedoninë e Veriut, Kosova ka pasur ritjen më të vogel ekonomike se Shqipëria, Mali i Zi, Bonsja dhe Hercegovina dhe Serbia. Rritja reale e PBB-së u rrit me vetëm 2.7 për qind.
Me inflacionin që arriti në 14.2 për qind në mesin e vitit 2022, qeveria bëri pak për ta frenuar atë. Ky inflacion e dobësoi jashtëzakonisht fuqinë blerëse të klasave më pak të pasura në Kosovë.
Që nga ardhja e Vetëvendosjes në pushtet, rritja eksponenciale e çmimeve ishte ndoshta problemi më i madh në Kosovë, me produktet bazë që “preknin stratosferën”. Nga ana tjetër, pavarësisht rritjes së dukshme të eksporteve, importet e larta bënë që bilanci i llogarisë të përkeqësohej në vitin 2022, sipas raportit të Bankës Botërore për Mbrojtjen Sociale dhe Rimëkëmbje.
Kjo varësi nga importi e ekspozojë Kosovën ndaj rrezikut të rritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Në anën tjetër, shpenzimet kapitale mbetën jashtëzakonisht të ulëta me një normë ekzekutimi prej 17 përqind deri në fund të gushtit dhe pothuajse 30 për qind më e ulët se një vit më parë, vlerësuan raportet.
Gjatë vitit 2022, u rrit norma mesatare vjetore e inflacionit 11.6 për qind sipas ASK-së, u ngadalësua ndjeshëm rritja reale ekonomike në 2.7 për qind sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, u rëndua jashtëzakonisht shumë deficiti tregtar i Kosovës sipas ASK-së.
Pavarësisht shumave të konsiderueshme të parave që u shpenzuan për “mbrojtjen sociale”, raportet vlerësuan se pakot e ndihmës sociale ishin “të varfra në projektim” dhe nuk ishin në gjendje t’u ofronin njerëzve ndihmën e nevojshme.