Ministria e Punëve të Jashtme ka hapur një tender në vlerë të 490 mijë eurove për organizime të manifestimeve kulturore. Me këto para do të blihen disa artikuj të ndryshëm e do të bëhen disa organizime.
Fiks 490 mijë euro po planifikon t’i shpenzojë Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Donika Gërvalla në disa furnizime të ndryshme.
Në tenderin që është shpallur në fund të mandatit qeverisës është treguar se me këto para do të organizohen disa manifestime kulturore, shkruan Demokracia.com.
Ky tender madje po tentohet të përfundoj sa më shpejt duke shkurtuar edhe procedurat tenderuese.
“Kuratori kulturor për organizime dhe manifestime të MPJD-së. Vlera e parashikuar e kontratës: 490,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 19.02.2025 Nuk kemi kontratë të tillë, andaj dhe kemi shkurtuar afatin sipas dispozitave ligjore”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Në dosjen e tenderit janë treguar edhe produktet që do të blihen, po ashtu edhe punët që do të bëhen për organizimin e manifestimeve.
‘Ndërtimi i konstruksioneve për varjen e Ndriçimit dhe pajisjeve tjera përcjellese përfshirë anësoret për varjen e zërimit për manifestime kulturore me dimensione 6x6m Pesha bartëse e konstruksionit së paku 3T. Ndërtimi i konstruksioneve për varjen e Ndriçimit dhe pajisjeve tjera përcjellëse përfshirë anësoret për varjen e zërimit për manifestime kulturore me dimensione 12m x 8m dhe lartësi 8m. Pesha bartëse e konstruksionit së paku 6T. Ndërtimi i konstruksioneve për vendosjen e ndriçimit dhe elementeve tjera me dimensione deri 20m x 16m dhe lartësi 12m. Ky konstruksion duhet të ketë së paku 10 këmbë vertikale dhe 5 konstruksione Horizontale me peshë bartëse min. 1500kg në 20m distancë”.
Po ashtu do të bëhen edhe disa investime për binë.
“Podiume Profesionale të modelit scaffolding allround për ndërtim të binave me nivele për koncerte simfonike dhe operistike apo audiencave deri në min. 400 karriga dhe dimensione min. 30m x 1m x 12 nivele (Niveli çdo 25cm) dhe peshë bartëse min. 750kg/m2. Led Ekran outdoor min. p3.9 1m2”. /Demokracia.com/.