Më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së. Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.
Në këtë ditë njëri nga ish komandantët e UÇK-së, Smajl Latifi ,sot kryetar i komunës së Rahovecit ,ka zgjedhur t’ja uroj kryetarit të OVL-së, dega Rahovec z.Vajdin Berisha, i cili që një kohë është i sëmurë, Latifi i ka ndare një mirënjohje për kontributin e tij, dhe ka shkruar në rrjetin social Facebook, transmeton /Gazeta Papirus/
Statusi i tij i plotë:
Dita e Veteranit, që shënohet çdo 30 dhjetor, shërben për çdo vit si një datë përkujtimi, respekti e falënderimi i thellë për të gjithë ata që iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në kohët më të rënda që po kalonte Atdheu ynë. Gatishmëria e çdo veterani për t’u sakrifikuar e për t’u shkrirë për liri, e ka dhe do ta ketë përjetësisht vendin e veçantë në historinë e kombit tonë.
Sot, këtë datë e shënova duke vizituar drejtuesit e OVL të UÇK-së në Rahovec, ku në shenjë respekti për kontributin dhe sakrificën e tyre patriotike, u ndava një mirënjohje, për të evokuar më pas kujtime për luftën tonë të drejtë si dhe për bashkëluftëtaret tanë heronj e dëshmorë, që nuk janë më në mesin tonë.
Vizitën e radhës e bëra në Drenoc, në shtëpinë e kryetarit të OVL të UÇK-së në Rahovec, Vajdin Berisha, të cilit i ndava po ashtu një mirënjohje, bashkë me stemën e gravuar të UÇK-së. Miku im Vajdini, ka një kohë të gjatë që është përballur me probleme të natyrës shëndetësore. U gëzova shumë që sot e gjeta në një gjendje më stabile shëndetësore dhe patëm rastin të bisedojmë për kushtet e veteranëve të luftës dhe punët e përbashkëta që mund t’i bëjmë në funksion të përmirësimit të gjendjes së tyre.
Respekt dhe përkulje për sakrificën e çdo veterani të luftës. Vepra juaj madhështore jehoftë në përjetësi!
SL