Pas inciativës për ndërrimin e emrit të Universitetit ‘Hasan Prishtina’, ka reaguar stërnipi i Hasan Prishtinës,Mehmet Prishtina, i cili njëherit është edhe Drejtor i Fondacionit ‘Hasan Prishtina’, transmeton Gazeta Papirus
Prishtina përmes një shkrimi në rrjetet sociale të tij, e quan absurde inciativën e ndryshimit të emrit.
“Një iniciativë absurde për ndryshimin e emrit të Universitetit “Hasan Prishtina” po qarkullon këtyre ditëve dhe e gjithë kjo po ndodhë kur arsimi ynë në vend se t’i nënshtrohet reformave të njëmendta, ai po dhunohet me inisiativa që nuk kanë kurrfarë arsyetimi logjik.”, shkruhet në postimin e tij. /Gazeta Papirus/
Shkrimi i tij i plotë:
Një iniciativë absurde për ndryshimin e emrit të Universitetit “Hasan Prishtina” po qarkullon këtyre ditëve dhe e gjithë kjo po ndodhë kur arsimi ynë në vend se t’i nënshtrohet reformave të njëmendta, ai po dhunohet me inisiativa që nuk kanë kurrfarë arsyetimi logjik. Në kohën kur është themeluar Universiteti i Kosovës, para 53 viteve, atëherë nuk ka mundur të quhet Hasan Prishtina, por kjo u bë e mundur kur bashkë me lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë, erdhi edhe mundësia që të vendosim vet se si do t’i emërtojmë institucionet tona. Prandaj riemërtimi Universitetit të Prishtinës në Universitetin “Hasan Prishtina”, përveç që ngërthen në vetvete simbolikën e vet emrit të kolosit tonë kombëtar, shpreh edhe vullnetin e profesorëve, studentëve dhe shoqërisë që Kosova të ketë një universitet që shpreh aspiratat shtetndërtuese të Hasan Prishtinës. Si i tillë ky universitet do të bëhet shenja dalluese e shtetësisë së Kosovës, kurse emri që mban, do të jetë udhërrëfyes i zhvillimit tonë politik, ekonomik, social e kulturor.
Universiteti “Hasan Prishtina” duhet të kursehet nga këto ide bizare që nuk kanë kurrfarë koherence me logjikën e shëndoshë. Ky universitet tash më është një brend i njohur edhe në saje të emrit që mban, prandaj të gjithë ata që guxojnë të mendojnë për ndonjë ndryshim, i kanë hyrë një aventure pa krye.
Duke kundërshtuar me forcë ndryshimin e emrit, ne kërkojmë nga studentët, nga profesorët dhe gjithë shoqëria që Universiteti “Hasan Prishtina” të mbrohet nga ata që mendojnë se historia e këtij universiteti fillon atëherë kur dikush bëhet rektor. Rektorët shkojnë e vijnë, por emri është i shenjtë dhe i pandryshueshëm, prandaj mbani duart sa më larg nga Hasan Prishtina të gjithë ju që guxoni ta hiqni emrin e tij nga Universiteti i krenarisë sonë kombëtare e shtetërore.
“MOS MA PREK HASAN PRISHTINËN!”
Fondacioni “Hasan Prishtina”,
drejtori Mehmet Prishtina