Raportet e Kosovës me Shtete e Bashkuara të Amerikanë kanë prekur nivelin më të ulet të tyre. Aleati më i madh perëndimor për herë të parë ka sanksionuar Kosovën, duke e përjashtuar nga stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023”. E gjithë kjo ka ndodhur për shkak se Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat amerikane për shtensionimin e situatës në veri. Por, për çka po përplaset Kosova me SHBA-të?
Qeveria e Kosovës të premten, pa koordinim me SHBA-të dhe BE-në, ka nisur njësitë speciale të Policisë së Kosovës për t`i dërguar në zyrat komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç kryetarët e rinj, të cilin janë zgjedhur në më 23 prill.
Ky veprim ka nxitur tensione të mëdha në këto komuna, ngase serbët lokalë kanë kundërshtuar një gjë tillë dhe nga e premtja kanë filluar protestat.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja kanë reaguar ashpër duke dënuar veprimet e institucionet të Kosovës dhe duke kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.
Që nga dita e parë e tensionit te situatës, kërkesë eksplicite e SHBA-së për Kosovën ka qenë që kryetarët e këtyre komunave të mos shkojnë në objektet komunale, ku nuk janë të dëshiruar nga serbët.
Kërkesat amerikane
Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar prej institucioneve të Kosovës që kryetarët e rinj të mos shkojnë në ndërtesat komunale.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, ndonëse pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë shumë e ulet.
Përfaqësuesit e SHBA-së kanë kërkuar vetëm që kryetarët e rinj ta vazhdojnë punën në objekte tjera publike komunale, të cilët gjenden në këto komuna.
Të njëjtën gjë e ka thënë edhe dje ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Sipas tij, kryetarët e tri mund ta ushtrojnë detyrën edhe nga ndërtesat tjera.
“Mendojmë se kjo është çështje shumë urgjente. Krahasimi që kam marrë është ai me një shtëpi që po digjet. Prandaj, mendoj që duhet të hiqet së pari zjarri. Ne presim që Qeveria të ndërmarrë veprime tash… Besojmë që Qeveria nuk duhet të insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat e komunave. Qeveria duhet të gjejë vende alternative pune për ta. Nuk e dimë pse nuk po i përdor të njëjtat vende alternative ku janë betuar.”, ka thënë diplomati amerikan.Megjithatë, Qeveria ka këmbëngulur që kryetarët të ushtrojnë mandatin e tyre nga ndërtesat e komunave.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shkuarja e kryetarëve në vende e tyre të punës do të duhej të konsiderohej si diçka normale.
“Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Por, tashmë dy nga ndërtesat e komunave janë të zbrazura.
Protestat e dhunshme rreth objekteve komunale kanë bërë pothuajse të pamundshme që kryetarët ta ushtrojnë funksionin e tyre.
Pas qortimit amerikan, kryetarët e Zveçanit dhe të Zubin Potokut, të cilët vijnë nga PDK-së, nuk kanë pranuar të vazhdojnë punën nga zyrat e komuniteteve.
Ata kanë deklaruar se këtë javë punën e kanë vazhduar prej zyrave të komuniteteve.
Kurse, kryetari i Leposaviçit, Lulzim Hetemi, tash e më shumë se 48 orë është i bllokuar në objektin e komunës së Leposaviqit. I vetmi kryetar që po e vazhon punën normalisht është kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
A po tërhiqet Kurti?
Pas presionit ndërkombëtar, duket që kryeministri Albin Kurti po mendon për një hap mbrapa në raport me tensionet në veri.
Gjatë adresimit të tij në forumin për siguri në Bratisllavë, ai ka treguar se si mund të dilet nga gjendja aktuale.
Shefi i Qeverisë ka bërë me dije se shtensonimi i situatës duhet të behtë në përputhje me ligjin.
Sipas tij, fillimisht duhet të largohet bandat e pastaj do të zvogëlohet numri i policëve në veri.
“E para të dalim nga kjo krizë në veri: që do të thotë sundim i ligjit, bandat ose të kthehet prapa në Serbi ose të jenë në burg në Kosovë, si dhe, të zvogëlojmë numrin e Policëve në objektet komunale dhe të normalizojmë situatën. E dyta rrugë është zbatimi i menjëhershëm dhe pa kushte i marrëveshjes bazë me të cilën jemi pajtuar me Serbinë”, ka thënë Kurti, raporton REL.
Ai ka thënë se është i gatshme t`i dëgjoj kërkesat e qytetarëve serbë të asaj pjese.
Kurti ka thënë se nëse ata duan zgjedhje të përkohshme mund edhe të pajtohet me ta.
“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta”, është shprehur Kurti.
Edhe vitin e kaluar kur kishte tensione në veri, kur serbët kishin vendosur barrikada në rruhet që të çonin drejt pikave kufitare 1 dhe 31, Kurti kishte të njëjtin kusht.
Edhe atëherë, ai kishte kërkuar që fillimisht të tërhiqeshin barrikadat e pastaj të tërhiqet policia.
Në fund, ishte arritur pajtimi që të dy palët të vepronin në të njëjtën kohë.