Pas shqetësimeve shëndetësore, pasditën e sotme të 29 Janarit, ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare ish-Kryetari i Komunës së Pejës dhe avokati i njohur Ferid Gjikolli.
Ferid Gjikolli ka qenë Kryetari i fundit shqiptarë i komunës së Pejës, në vitet 1982-1987 kur edhe është larguar duke mos pranuar sistemin okupues të Serbisë, kur kjo e fundit më pas edhe i suprimoi Kosovës autonominë së vitit 1974 dhe rrjedhimisht edhe të gjitha institucionet vetqeverisëse të deriatëhershme brenda Jugosllavisë.
Në kohën e tij, ndër të rrallët në Jugosllavi, si 21 vjeçar, Ferid Gjikolli kishte kryer fakultetin Juridik ndërsa në moshën 22 vjeçare do dilte Gjykatës i Gjykatës së Qarkut në Pejë.
I ndjeri Ferid Gjikolli, mbahet mend si kryetari që në udhëkryqet e rënda të kohës, ja doli të rreshtohej drejt, në krah të popullatës shumicë shqiptare, duke mos u strukur nën tutelat e regjimit okupator serb që po e gllabëronte Kosovën.
Personaliteti dhe autoriteti i tij tek popullata e Pejës u çmua lartë për veprimet e matura edhe gjatë qeverisjes në krye të Pejës.
I rrethuar nga bashkëpunëtorë dhe personalitete të njohura kombëtare nga Peja, si i ndjeri Riza Lluka (Delegat i Kuvendit të Kosovës, që kundërshtoi amandamentet e Serbisë, për heqjen e autonomisë së Kosovës, të vitit 1974) dhe prof. Ali Sylqa, i burgosur politik dhe veprimtar i çështjes kombëtare, i ndjeri Ferid Gjikolli sa ishte kryetar i komunës së Pejës, edhe pse në nën autoritetin dhe pozicionin që i ofronte ligji, ja doli të bllokonte disa projekte famëkëqija të gatuara në kuzhninat e Serbisë dhe Jugosllavisë, për shkatërrimin infrastrukturor, urbanisitik dhe turistik të Pejës.
Gjatë së Kosovës Ferid Gjikolli, bashkë me Riza Llukën dhe prof. Ali Sylqën kanë mbështetur drejtpërdrejt luftën e UÇK-së në dukagjin, drejtpërdrejt Zonën e II-të Operative nën komandën e Ramush Haradinajt, ndërsa pas luftës, i ndjeri ka mbështetur ngritjen e institucione të lira qeverisëse të Pejës, duke qenë edhe Anëtar i Këshillit komunal të përkohshëm të Pejës, nën qeverisjen e Prefektit (Kryetarit) të Pejës së lirë, prof. Dr. Et’hem Çekut.
Duke reaguar për vdekjen e Ferid Gjikollit, në një pronocim të mbrëmjes në ‘RADIO 1’, ish-kryetari i parë i Pejës së lirë prof. Dr. Et’hem Çeku, u shprehë në superlativ për kontributin e Gjikollit.
‘Pak kush e di, ndoshta as familjet e tyre, por Ferid Gjikollin, bashkë me Riza Llukën, Ali Sylqen e Haxhi Lajqin i kam pasur me vete në vija të para të frontit. Kaq pra kanë bërë për luftën, duke vepruar edhe nga qyteti. Poashtu kanë qenë edhe në këshillin komunal të qytetit kur kemi ndërtu institucionet. Si Kryetar në vitet 80-ta ka qëndru vertikal dhe lavdi për atëherë e për mot. Peja humbi një pishtar të saj të proceseve të rëndësishme.’-deklaroi Et’hem Çeku në ‘RADIO 1’.
I ndjeri Gjikolli, deri në muajt e fundit të jetës ka ushtruar edhe profesionin e avokatit, duke qenë dhe mbetur i njohur dhe autoritativ edhe në këtë sferë, në nivel të Kosovës.
I ndjeri, do të varroset nesër (E, Enjtën) më 30 Janar 2025, në ora 13:00 në varrezat e qytetit të lindjes në Pejë.