Gjykata Kushtetuese e Kosovës para disa ditësh ia rrëzoi Qeverisë së Kosovës, Ligjin për Këshillin Prokurorial duke gjetur një varg të madh të shkeljeve të Kushtetutës e një prej tyre ishte edhe ajo që ka të bëjë me nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës, që ka të bëjë me [Formën e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit]. Një problem të ngjashëm me Ligjin për KPK-në po pretendohet të ketë edhe Ligji i Pagave që është dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese.
Ndarja e Pushteteve është një ndër parimet kryesore të shteteve demokratike dhe sipas shumë njohësve të demokracisë, ligjit dhe pushtetit konsiderohet se ndarja e pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ përbën bazën e funksionimit demokratik dhe përzierja e tyre mes vete, çon drejt tiranisë dhe despotizmit.
[Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] është një nga nenet më të rëndësishme të Kushtetutës së Kosovës pasi aty përcaktohet se Kosova është shtet demokratik dhe funksionon në parimin e ndarjes së pushteteve.
“Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë.”, thotë paragrafi i parë i këtij neni.
Në paragrafët 2, 3, 4, 5 dhe 6 përcaktohet ndarja e këtyre pushteteve dhe kufizimi i ushtrimit të aktivitetit të tyre. Pra, përcaktohet roli i Kuvendit të Kosovës, roli i Presidentit të Kosovës, roli i Qeverisë së Kosovës dhe roli i sistemit Gjyqësor të Kosovës.
Në këto paragrafë specifikohet se Kuvendi i Kosovës ushtron pushtetin legjislativ, Presidenti i Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe si garantues i funksionimit demokratik të institucioneve.
Gjithashtu në paragrafin 4 specifikohet se Qeveria është përgjegjëse për zbatimin e ligjeve dhe politikave shtetërore, pra është pushteti ekzekutiv dhe i nënshtrohet kontrollit të parlamentit – duke marrë parasysh se Kosova ka një demokraci parlamentare.
Paragrafi i 5-të i Kushtetutës së Kosovës thotë se pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat, ndërsa në paragrafin 6 thuhet se Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
Të gjitha këto paragrafë, përmbledhen në paragrafin e 7-të të nenit të 4 të Kushtetutës ku thuhet se: ” Republika e Kosovës ka institucionet e veta për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të integritetit territorial, rendit dhe qetësisë publike, të cilat funksionojnë nën autoritetin kushtetues të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës.”.
Ndërsa ky nen i Kushtetutës së Kosovës po del të jetë problematik për Qeverinë e Kosovës. Në aktgjykimin e rrëzimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga Gjykata Kushtetuese thuhet se ligji ka rënë ndesh me nenin 4 të Kushtetutës së Kosovës, më saktësisht me paragrafin 1.
“Kosova është Republikë demokratike e bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre, sikurse është përcaktuar me këtë Kushtetutë.”, thotë paragrafi i parë i këtij neni.
“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.”, thotë vendim.
Por, nuk mbaron me kaq. Avokati i Popullit ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin e Pagave pasi ka pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme dhe ka konstatuar se është shkelur Kushtetuta së paku në tri nene të saj dhe nga kjo preken dhjetra subjekte që janë prekur nga Ligji i Pagave.
“Më 5 shkurt 2023, pas një procesi, i cili, sipas Avokatit të Popullit, nuk ka qenë një proces transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik, Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi. Për më tepër, Avokati i Popullit vlerëson se ky ligj nuk e bart frymën e Aktgjykimit KO219/19, në kuptimin e parimit të ndarjes së pushteteve, kontrollit e balancimit mes tyre, në kuptimin e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuptimin e sundimit të ligjit, në veçanti parimin e barazisë para ligjit, si dhe në kuptimin e mbrojtjes të së drejtës së pronës të subjekteve në sektorin publik.”, thotë arsyetimi i Avokatit të Popullit.
“Sipas Avokatit të Popullit, neni 2, paragrafi 3; neni 6, paragrafi 6; neni 41, paragrafi 3 dhe paragrafi 4, të Ligjit të kontestuar, si dhe shtojcat e tij që kanë të bëjnë me Sistemin Gjyqësor, Sistemin Prokurorial, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Shërbimin Korrektues të Kosovës, Nëpunësit Publikë të Arsimit Universitar dhe Parauniversitar, Nëpunësit Publikë të Sistemit Shëndetësor, Kuvendin e Kosovës, Institucionet e Pavarura Kushtetuese, Ministri, Agjenci të Pavarura, Agjenci dhe Rregullator, Agjenci Ekzekutive dhe të Shërbimit Publik, Komunat, Zyra Kombëtare e Auditimit, Auditimi i Brendshëm nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese, i cili duket se është shpërfillur me rastin e hartimit të Ligjit të kontestuar.”, thotë gjithashtu arsyetimi.
Qeveria e Kosovës shumë shpesh është akuzuar se po tenton të kapë Sistemin Gjyqësor dhe Sistemin Prokurorial të Kosovës dhe kjo më së shumti është përmendur në rastin e rrëzimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga Gjykata Kushtetuese.