Në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të jashtëm të NATO-s është përmendur edhe rreziku i përhapjes së konfliktit në vendet e tjera pas atij në Ukrainë.
Ata diskutuan nevojën për të mbështetur partnerët që mund të jenë në rrezik të përhapjes së luftës në Ukrainë, duke përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, përsëriti se “agresioni i Rusisë ka krijuar një realitet të ri për sigurinë, ku parimet themelore kontestohen përmes përdorimit të forcës”.
Në këtë realitet të ri, ministrat ranë dakord se marrëdhënia e NATO-s me Rusinë ka ndryshuar rrënjësisht për një afat të gjatë, por ata mbeten të përkushtuar për të mbajtur kanalet diplomatike të hapura për të shmangur çdo përshkallëzim të paqëllimshëm.
Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti”, tha Stoltenberg, duke shtuar megjithatë se NATO ka “përgjegjësi për të siguruar që ai të mos përshkallëzohet dhe të mos përhapet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte edhe më shkatërruese dhe më e rrezikshme”.
Pas takimit, Aleanca tha se është fuqishëm e përkushtuar ndaj Artikullit 5, i cili thotë se nëse sulmohet njëri prej shteteve konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
“NATO është Aleanca më e fuqishme ushtarake në histori”.
Takimi ishte një mundësi për ministrat që të trajtonin gjithashtu implikimet afatgjata të agresionit të Rusisë për sigurinë euroatlantike.
Në takim, ministrave të jashtëm të NATO-s iu bashkuan edhe ministrat e jashtëm të Finlandës dhe Suedisë, si dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, iu drejtua homologëve të tij me një video-mesazh, ku foli edhe përkeqësimin e situatës humanitare në vendin e tij.
Ministrat dënuan pushtimin brutal dhe të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia dhe shprehën solidariteti e mbështetje për guximin e popullit ukrainas dhe forcave të armatosura.
Sipas një deklarate për shtyp, NATO tha se ka shqyrtuar përgjigjen e saj ndaj krizës.
Përveç mijëra trupave të tjera që aleatët kanë dërguar tashmë në pjesën lindore të Aleancës, NATO tha se po vendos për herë të parë Forcën e Reagimit, e cila ka 130 avionë në gatishmëri dhe mbi 200 anije”.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që duhet për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s”, tha sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg