Misioni i NATO-s në Kosovë ka njoftuar se me stafin e tij po punon në zbutjen e situatës në veri, si dhe se është në kontakt me institucionet e Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë.
Në një komunikatë drejtuar mediave, KFOR-i tha se ka shtuar praninë në komunat veriore të Kosovës “për të siguruar një mjedis të sigurt për lirinë e lëvizjes”.
“Komandanti i KFOR-it dhe stafi i tij po punojnë për zbutjen e situatës dhe janë në kontakt me të gjitha palët, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe të organizatave të sigurisë në Kosovë dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë. Raportimet e mediave për një takim me Goran Rakiqin janë të pabaza, po ashtu edhe pretendimet se komandanti i KFOR-it ka bërë ndonjë paralajmërim për të shtëna në Zveçan”, thuhet në komunikatë.