Ish-deputeti i LDK-së dënohet me 3 vjet burgim për fondin e 3 përqindëshit.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarve Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, duke i dënuar secilin me nga tri vite burgim.
Në këtë rast, Naser Osmani, ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Atdhe Gashi dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit”. Për të akuzuarin Bujar Bukoshi procedura është veçuar.
Sipas këtij aktgjykimi të akuzuarit Osmani dhe Gashi obligohen që në mënyrë solidare të kompensojnë dëmin 255 mijë e 398 euro e 41 centë, në afat prej 15 dite prej plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi në buxhetin e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e Gjykata Themelore në Prishtinë.
Të njëjtit obligohen që secili veç e veç të paguaj shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 500 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe shumën prej 20 euro në emër të Fondit te Viktimave te Krimit.
Ndërkaq, për të njëjtit është refuzuar akuza për veprën penale “Shmangia nga Tatimi” nga neni 249 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit absolut të veprës penale.
Ndryshe, në nëntor të 2020-s, Osmani dhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale të shpërdorimit, për çka ishin dënuar me nga 3 vite burgim.
Mirëpo, më 15 shtator 2021, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim ku rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Sipas këtij vendimi të gjykatës së shkallës së dytë, shpallja e aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është bërë sipas aktakuzës së ngritur ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit dhe se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale.
Aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar