Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi i cili mbeti i arrestuar të mërkurën për shkak të dyshimit se ka kryer veprat: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Konflikt i interesit” në maj të vitit të kaluar e kishte pranuar se është blerë rrymë nga GEN që ka pika të saj në disa shtete të Ballkanit, por ka degën kryesore në Slloveni.
“Ne kemi blerë energji nga tregtarët që janë ofruar. Nuk mund të vendosim se cila do të afrohet. GEN ka bërë disa herë oferta dhe ajo ka pika të ndryshme. Ajo ka fituar disa herë në ankande. Në Tiranë, Beograd etj.. tash nga cila pikë ofrojnë ne nuk mund t’ua diktojmë. Ne blejmë energji nga ato kompani të licencuara në Federatën Europiane”, kishte deklaruar Krasniqi.
Megjithatë ai nuk e kishte komentuar rastin e ambasadorit Martin Berishaj lidhur me skandalin në Slloveni.
“Nuk mund të komentoj rastin Berishaj apo ndërlidhjet tjera. Nuk e di dhe nuk është puna jonë ta dimë. Puna jonë është të kryejmë mbulimin me furnizimin të energjisë, e kur ka nevojë importojmë nga komani të licencuara edhe nga ZRRE-ja tek e fundit”, kishte thënë ai.
Nagip Krasniqi është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprat: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”..
Dyshimet kanë të bëjnë me kontratat për renovimin e kaldajave së bllokut A5. Kodi Penal i Kosovës këtë vepër e sanksionon me dënim prej 1 deri në 8 vjet burgim.
Në rast se personat zyrtar që kryejnë këtë vepër penbale tejkalojnë shumën e dëmit në 5 mijë euro, atëherë dënimi është me gjobë dhe burgim prej 3 deri në 10 vjet.
Ndërkohë, sa i përket lidhjes me kompaninë GEN.
Ish-anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes që u emërua ambasador i Kosovës në Zagreb u raportua të jetë përfshirë në një skandal të madh financiar për të cilin ka raportuar mediumi slloven Planet Tv. Berishaj ka shtetësi sllovene dhe para dekretimit si ambasador në Kroaci atij i është dhënë shtetësia e Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani. Berishaj mori detyrën e ambasadorit në dhjetor të vitit të kaluar.
Ambasadori Berishaj dyshohet se është i përfshirë në një skandal financiar për shpëlarje parash në Slloveni. Në një postim të shkurtë në Facebook, Berishaj i ka mohuar të gjitha akuzat. Ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Paparakisht, mjetet financiare, kompania MB Consulting, në pronësi të Berishajt, i kishte pranuar nga kompania GEN.