Dyshimet për keqpërdorime me kontrata të prokurimit publik pritet të rezultojnë me arrestimin e Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, raporton gazeta Nacionale.
Departamenti i Krimeve Ekonomike është duke zhvilluar një aksion në zyrat e selisë qendrore të KEK-ut në Prishtinë të mërkurën.
Aksioni ndërlidhet me dyshimet për keqpërdorime me kontrata publike, konkretisht me një marrëveshje të prokurimit publik të lidhur mes KEK-ut dhe një kontraktuesi privat për renovimin e kaldajave të Bllokut A5.
Duke u bazuar në burime të mirinformuara brenda Policisë së Kosovës, Nacionale raporton se policia pritet ta arrestojë drejtorin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqin, i cili është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Bastisja po bëhet edhe në zyrën e drejtorit të KEK-ut. Pritet edhe arrestimi i drejtorit Nagip Krasniqi”, ka thënë ky burim, shkruan Nacionale.
Arsyet e bastisjes dyshohet të jenë një kontratë për renovimin e kaldajave në bllokun B5 të Termocentralit “Kosova B”, një kontratë e konsulencës e një tjetër kontratë me KEDS-in.