Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se qeveria aktuale duhet ta bindë faktorin ndërkombëtar që serbët të mos votojnë në Kosovë, por të gjenden forma që ata ta ushtrojnë të drejtën e tyre në Serbi.
Kësisoj, konsideron se duhet vepruar njëjtë sikur me referendumin që nuk u lejua të mbahej në Kosovë.
Por Mustafa është kundër qeverisë në raport me krizën energjetike, pasi thotë se nuk duhet lejuar shtrenjtimi i faturës së rrymës për qytetarët.
Me Serbinë, sipas Mustafës, duhet marrë vesh sa më shpejt, pasi fokusi ndërkombëtar në dialog është zbehur për shkak të konfliktit ruso-ukrainas.
Ish-kryeministri beson se perëndimi duhet t’i heqë vizat për kosovarët, tani kur vendi po shënon përmirësim në luftim të korrupsionit, por që mohon se kjo e fundit është meritë e qeverisë aktuale apo e asaj që e drejtonte vetë.
Ndërkohë, në cilësinë e ish-kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Prishtinës, nuk ka koment për qeverisjen e deritashme të Përparim Ramës, të kandiduar nga kjo parti.
Aktualisht, Mustafa është pensionuar nga politika dhe po merret vetëm me shkencë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve.