Të dëshpëruar dhe të pashpresë për qytetarët qeverinë “Kurti” po e konsideron deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, teksa thotë se të vetmen mundësi që e shohin ata është ikja nga Kosova, raporton Ekonomia Online.
Musliu ka folur edhe për punën e kësaj qeverie, duke thënë se këtë vit nuk ka arritur ta përmbushë agjendën e paraparë legjislative.
Musliu e ka quajtur të dobët qeverinë “Kurti” edhe në pyetjet parlamentare, pasi sipas saj ligjvënësit nuk po arrijnë asnjëherë të marrin përgjigje nga ministrat e kabinetit qeveritar.
Duke folur për këtë, Musliu mori shembull seancën e fundit, ku tha se vetëm katër prej tyre kanë parashtruar pyetje ndaj ministrave.
“Përveç pjesës legjislative, fatkeqësisht parlamenti nuk ka mundur ta ushtrojë punën dhe detyrën e tij, qoftë në parashtrimin e pyetjeve parlamentare ju e keni parë që ka rënë interesi te deputetët për të parashtruar pyetje parlamentare në mungesë të vullnetit të ministrave për t’u përgjigjur. Në seancën e fundit prej 120 deputetëve ne kemi pasur vetëm 4 pyetje parlamentare, vetëm 4 deputetë, sepse të gjithë deputetët po hezitojnë të parashtrojnë pyetje, të cilat ripërsëriten nga seanca në seancë dhe nuk marrin përgjigje nga ministrat e qeverisë ‘Kurti’”, ka thënë Musliu.