Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë ditës së sotme ka hedhur akuza për Qeverinë duke thënë se nuk po i përkrah projektet e Komunës.
Ndaj deklaratave të Ramës ka reaguar Ministri i Financave, Hekuran Murati.
Murati ka publikuar një grafikon, që ai thotë se paraqet mbështetjen buxhetore që Qeveria i ka dhënë Komunës së Prishtinës nëpër vite. Madje, ai thotë se ka rritje të theksuar të mbështetjes me buxhet për komunën e Prishtinës nga ana e Qeverisë në tri vitet e fundit.
Por Murati thotë se “ç’e do këtë rritje kur Komuna e Prishtinës në vazhdimësi e mbyll vitin me suficit, sepse nuk arrin të implementojë buxhetin që vet e harton”. Ai thotë se në vitin që sapo lamë pas, suficiti (buxheti i pashpenzuar) i Komunës së Prishtinës rezulton mbi 33 milionë euro.
Murati ka thënë se Rama, në vend se të kërkojë fajtorin gjetiu, duhe të përqëndrohet në kryerjen e punëve për të cilat u ka premtuar qytetarëve.
“Grafikoni më poshtë paraqet mbështetjen buxhetore që Qeveria i ka dhënë Komunës së Prishtinës nëpër vite (me ngjyrë të kaltër). Siç edhe mund të shihet, ka rritje të theksuar të mbështetjes me buxhet nga Qeveria në tri vitet e fundit. Por ç’e do këtë rritje kur Komuna e Prishtinës në vazhdimësi e mbyll vitin me suficit, sepse nuk arrin të implementojë buxhetin që vet e harton. Në vitin që sapo lamë pas, suficiti (buxheti i pashpenzuar) i Komunës së Prishtinës rezulton mbi 33 milionë euro.
Po kaq, 33 milionë euro, është buxheti i Komunës së Podujevës. Pra imagjinoni se sa punë arrin të bëjë Komuna e Podujevës me këtë buxhet, kaq pra i tepron Komunës së Prishtinës e qytetarëve të Prishtinës u mohohen ato projekte për shkak të mos-realizimit”, ka shkruar Murati.